Roland Bejko merr në mbrojtje Zamira Ramin, sulmon Astrit Aliajn: Prefekti ushtarak ka ngritur duart përpjetë…

Kreu i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko e quan të dështuar përpjekjen e qeverisë për menaxhimin e situatës së emergjencës në Gjirokastër. Përmes një deklarate ai merr në mbrojtje kryebashkiaken Zamira Rami, e cila ka shprehur pamundësi për përballimin e kësaj situate, ndërsa sulmon prefektin Astrit Aliaj. Bejko gjithashtu u bën thirrje deputetëve të PS-së të kërkojnë te qeveria të alokojë fonde për këtë cështje përpara se të ndodhë ndonjë tragjedi.Po kështu ai kërkon që prefekti dhe kryebashkiakja të lënë sulmet me njëri-tjetrin

DËSHTIM I SPEKTAKULAR I QEVERISË NË MENAXHIMIN E SITUATËS EMERGJENTE TE KODRA E SHTUFIT NË GJIROKASTËR. Edhe pse kanë kaluar tre ditë nga e shtuna e reshjeve të rrëmbyeshme, ende asnjë ndërhyrje serioze nga ana e Qeverisë për largimin e dheut, hapjen e kanaleve kulluese të ujrave të bardha dhe ndërtimit të barrierave për ndalimin e rrëshqitjes së mëtejshme të baltës mbi pallatin te Kodra e Shtufit në Gjirokastër që rrezikohet seriozisht të shembet. Ndoqa me vëmendje reagimin e qytetarëve të cilët u shprehën se akoma asnjë masë nuk është marrë për largimin e baltës nga pallati i tyre. Asnjë shenjë për zbatimin e detyrave të lëna nga specialistët e gjeologjisë për parandalimin e tragjedisë në rast të përsëritjes së rreshjeve në ditët në vazhdim. Prefekti ushtarak si përfaqësues i Qeverisë ka ngritur duart përpjetë. Balta e Kodrës së Shtufit jua stufoi propagandën mediatike. Askush nuk po i përtyp më fjalët e bukura dhe premtimet boshe. Qytetarët duan aktin, punën, ndërhyrjen, zgjidhjen. Prefekti luan kungulleshkën me Kryetaren e Bashkisë duke ja lënë përgjegjësinë e menaxhimit asaj. Haron që është Kryetar i Shtabot të Emergjencave të Qarkut dhe ligji i jep kompetenca të mjaftueshme për të vënë në punë mekanizmat e duhura.

Bashkia ka njoftuar se është e pafuqishme për të ndërhyrë në një rast të tillë. Nuk ka as mjete, as financa, ndaj i ka kërkuar ndihmë Qeverisë për ndërhyrje si një rast emergjent specifik. Dhe mirë ka bërë. Me buxhetin e saj prej 3 milionë lek tp rinj për raste emergjencash nuk mund të bëjë asgjë. Qeveria ndërkohë nëpërmjet një zv/ministri është përgjigjur me premtime për ndërhyrje të shpejtë,por akoma asnjë veprim konkret. Skrepi që Bashkia Gjirokastër ka dërguar sot aty, është i pamjaftueshëm. Një pjesë e banorëve e kalojnë natën në apartamentet e tyre në pallatin e tmerrit duke mos pranuar ofertën e Bashkisë për tu strehuar në konvikt. Ata para kemeras shprehen se nuk kanë informacion nga Prefektura se çfarp do bëhet me ta, me pallatin e tyre, me përmirësimin e situatës. Askush nuk po na thotë gjë, – përgjigjen ata. Në këto kushte, u bëj thirrje deputetëve socialistë të Gjirokastrës dhe ministres Kumbaro ti kërkojnë Naltmadhënisë së tyre të dërgojë mjete e fonde për të përmbushur rekomandimet që kanë lënë specialistët e gjeologjisë për të parandaluar një tragjedi të mundshme.

I bëj thirrje Prefektit dhe Kryetares së Bashkisë ti lënë cic micet me njëri tjetrin, por të informojnë nëpërmjet mediave qytetarët dhe veçanërisht banorët mbi të gjitha masat e mara, apo për ato që do ndërmerren në ditët në vazhdim. Transparenca e pushtetit është detyrim ligjor. Mosinformimi është shkelje e ligjit, sidomos në kushtet e emergjencave. Moti nuk do ketë mëshirë për papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e Qeverisë.
Këtë e dëshmoi rrëzimi i urës së Hoshtevës e cila e nxori cullak si të paaftë Ministrinë e Kulturës në mbrojtjen e monumenteve të kulturës. Prandaj ndërhyni shpejt. Bëni detyrën tuaj, paçka se jeni jo legjitimë sepse siç edhe tha një banore e atyshme me zë dhe figurë në kushtet e dëshpërimit e të panikut: ” QEVERITARËT VIJNË KËTU VETËM KUR NA BLEJNË VOTAT, PASTAJ NUK I SHIKOJMË GJËKUNDI”. Qeveritarë, ndërhyni sa nuk është vonë se në rast të ndonjë fatkeqësie nuk do gjeni vrimë ku të futeni. Boll më me fjalë të bukura e dorën në supe të hallexhinjve të përmbytur, para kamerave.

Po ju vëzhgojmë.