Rrëfimi i Bledi Çuçit: Ja premtimi im për Gjirokastrën!

Nga Anxhela Ferra

Bledi Çuçi, ish-ministri i Pushtetit Vendor kryeson listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Gjirokastër. Emri i tij është lakuar shumë për reformën territoriale, një reformë e cila u duartrokit nga shumë palë, pavarësisht krahut politik, si një nevojë që duhej plotësuar. Reforma Administrative Territoriale është vlerësuar nga të gjithë si një prej reformave më të suksesshme të qeverisë Rama.

Në një interviste për dritare.net, Çuçi flet për largimin nga posti ministror tre muaj para zgjedhjeve, dashurinë që ka për “qytetin e një mijë shkallëve” dhe forcimin e shtëpisë së socialistëve, siç ai e quan. Çuçi thotë se Partia Socialiste do të marrë në Gjirokastër 3 mandate, duke shtuar se copëzat e tortës për partitë e tjera do t’i lënë ato shumë të uritura.

Dritare.net- Tre muaj para zgjedhjeve, Kryeministri Rama ju largoi nga posti i Ministrit, për t’iu dedikuar i gjithi qarkut të Gjirokastrës. Ndërkohë kjo është fushata e parë, ku ju jeni drejtues. Më mirë në postin e Ministrit apo të bindni njerëzit për të votuar partinë tuaj?

Janë dy gjëra të ndryshme, por që bashkëlidhen në një pikë, atë për të punuar në terren dhe në zyrë për ndërtimin e një Shqipërie më të mirë. Në këtë drejtim, në postin e ministrit, me një ekip prej më pak se 5 vetë,  punuam për realizimin e reformës administrative-territoriale, për të forcuar luftën ndaj korrupsionit apo edhe shumë ligje të tjera.

Natyrisht, jam shumë i kënaqur që udhëheq një prej qarqeve më besnikë të Partisë Socialiste. Është vërtet bukur të gjendesh pranë njerëzve, të dëgjosh e të zgjidhësh hallet dhe problemet e tyre dhe njësoj si punova si ministër, edhe si udhëheqës politik, angazhimi im është që të bëj ç’është e mundur për të bërë më të mirën për gjithë banorët e qarkut Gjirokastrës.

Dritare.net- Çfarë do të thotë të jeni i pari në listën e Gjirokastrës, një qytet që kryesisht ka votuar majtas, por numri i votuesve është i kufizuar. Sa e fortë është “lufta” për të marrë votat?

Për mua është një privilegj që kryesia e Partisë Socialiste më zgjodhi për të drejtuar këtë qark dhe jam i lumtur dhe jam shumë i lumtur që fushatën e parë ta drejtoj pikërisht këtu, në zemrën e socialistëve të Shqipërisë.

Nuk mund të themi se ka ndonjë ‘luftë’ të fortë në këtë qark, pasi Partia Socialiste ka dyfish më shumë vota se partia e renditur në vend të dytë.

Për këtë arsye, gjërat nuk kishin shkuar mirë në këtë qark gjatë qeverisjes së shkuar. Qytetet ishin lënë në mëshirë të fatit ku lavdisë së dikurshme ia kishte zënë vendin plogështia mbytëse e degradimit, prej të cilës u rrezikua seriozisht edhe përjashtimi i Gjirokastrës nga lista e qyteteve të mbrojtura nga UNESCO.

Ne u zotuam për ta shkundur qarkun e Gjirokastrës dhe Shqipërinë nga pluhuri i harresës e neglizhencës dhe ia nisëm pikërisht prej aty, duke investuar aq sa në 15 vite të marra së bashku.641 kantieret e rindërtimit të Shqipërisë u shtrinë në të gjithë qarkun me plot 48 milionë euro investime, duke e shndërruar Tepelenën, Gjirokastrën, Përmetin, Këlcyrën, Memaliajin dhe Dropullin në shëmbëlltyra kuptimplota të fuqisë transformuese të Rilindjes Urbane. Të gjithë këto projekte i ndryshuan faqen Shqipërisë dhe punësuan 49 mijë njerëz.

Dritare.net- Si do të ndahet ‘torta’ në Gjirokastër, po Partia Socialiste sipas jush, sa mandate do të marrë?

Duke qenë se Partia Socialiste ka një diferencë të thellë me partinë pasrendëse, mund të themi që copëzat e tortës për partitë e tjera do t’i lënë ato shumë të uritura.

Konfigurimi i partive që garojnë kësaj radhe garanton pikësëpari që ndarja e tortës të bëhet sipas performancës dhe jo që disa të përfitojnë copa më të mëdha në kurriz të tjerëve.

Siç e kemi deklaruar, qëllimi ynë është të marrim 3 mandate në Gjirokastër dhe të gjitha sondazhet që kemi kryer e vërtetojnë më së miri që ky është një objektiv plotësisht i realizueshëm.

Dritare.net- Ishte një zgjedhje e juaja për të qenë në Gjirokastër apo e Kryeministrit? Çfarë ju lidh me “qytetin e një mijë shkallëve”?

Kjo në fakt nuk është as çështje e një zgjedhje e imja dhe as një vendimmarrje vetëm e Kryeministrit. Unë jam zgjedhur nga Kryesia e PS si i deleguar i kësaj force politike në qarkun Gjirokastër dhe jam vërtet i nderuar që kryetari i PS dhe gjithë anëtarët e Kryesisë më kanë besuar këtë përgjegjësi të madhe.

Qarku i Gjirokastrës nuk është një qark i lehtë, por unë mund të them se tashmë afro 1 vit nga delegimi këtu kam arritur të forcoj shtëpinë e socialistëve, strukturat e saj dhe së fundmi të forcoj edhe më shumë frymën e ekipit, mes nesh që jemi zgjedhur si kandidatë për të përfaqësuar qytetarët e këtij qarku.

Origjina ime nga të dy prindërit lidhet katërçipërisht me këtë qark, megjithatë kjo për mua nuk ka rëndësi të veçantë. Ajo çfarë më lidh më shumë, është dashuria për qytetin e Gjirokastrës.

Një qytet, që për fat të keq, e kam gjetur si një qytet me të shkuar, me të ardhme,por pa të tashme. Dhe vërtet ndaj me kënaqësi faktin, se tanimë Gjirokastra është ndarë përfundimisht nga  harresa dhe sot ne shohim një qytet të rilindur.

Vetëm në 44 muaj,  qeveria ka investuar 40 milionë euro për qytetin e Gjirokastrës, përmes projektit të Rilindjes Urbane. Është ndërhyrë në fasadat e qytetit, po rehabilitohet e gjithë zona e qafës së Pazarit, u shndërrua i gjithë Parku i Viroit, bulevardi, u ndërhy në infrastrukturën rrugore, e shumë e shumë projekte të tjera që i kanë rikthyer jetën këtij qyteti.

Ne kemi një vizion, atë që unë e quaj, “back to the future”, kthim në të ardhmen, pra mbi të shkuarën e Gjirokastrës do ndërtojmë të ardhmen e qytetit, dhe unë them me bindje të plotë, se në më pak se 4 vjet do e kthejmë këtë pasuri botërore në destinacionin kryesor turistik në Shqipëri.

Dritare.net- Keni qenë një prej ministrave më të rëndësishëm e nga më të vlerësuarit, edhe prej opozitës, për reformën administrative territoriale. Sa e nevojshme ishte kjo reformë, dhe sot pas katër vitesh, çfarë ka përfituar Shqipëria?

Reforma Administrative Territoriale ishte një nga reformat e “harruara” prej 25 vitesh, një nga reformat që lidhet direkt me shtet formimin dhe absolutisht rëndësia e saj është e pamohueshme nga i gjithë spektri politik.

Rëndësia e kësaj reforme shtrihet përtej këtij 4-vjeçari dhe Shqipëria do t’i ndjejë efektet e kësaj reforme edhe për 20 vitet e ardhshme. Megjithatë vetëm në dy vite të funksionimit të bashkive të reja pas reformës territoriale mund të themi qe kemi arritur rezultate fantastike.

Për herë të parë, në vitin 2016, pushteti vendor arriti të mblidhte 28% më shumë të ardhura nga taksat lokale sesa në vitin 2015 ose rreth 30 milionë dollarë, duke performuar edhe më mirë se vetë pushteti qendror. Kjo, falë aftësisë së bashkive të reja që pas reformës territoriale patën mundësi të ndërtonin një administratë të aftë, krahasuar me administratën vendore para reformës që ishte në nivele shumë të ulëta.

Po kështu falë reformës vetëm në vitin 2016 shpenzimet për personelin u ulën me 10 milionë dollarë dhe shpenzimet operative me rreth 3 milionë dollarë. Pra, vetëm në një vit funksionimi të bashkive të reja pas reformës territoriale, kemi 43 milionë dollarë përfitime të cilat po t’i mbledhësh në 4 vite shkojnë më shumë se 160 milionë dollarë, që shkojnë për investime dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve lokale. Pra, efektet e reformës territoriale shkojnë shumë më tepër se parashikimet tona.

Dritare.net- Përsëri, shumë qytetarë të cilët punonin në Komuna, u “ndëshkuan” nga kjo reformë, e mbetën pa punë. A nuk duhej të merreshin masat e nevojshme për punësimin e tyre përsëri?

Në fakt pjesa e “administratës” që është shkurtuar ka të bëjë me së shumti me pozicione politike si këshilltare të komunave, kryetarë, sekretare apo dhe shoferë, pozicione pune që më shume trajtoheshin si “ofiqe” për njerëzit e pushtetit sesa për t’i shërbyer komuniteteve. Më mirë paratë e taksapaguesve të shkojnë për investime dhe shërbime për komunitetin sesa për të mbajtur në këmbë një administratë që kënaq orekset e pushtetit dhe në këtë kuptim falë reformës territoriale kemi shpëtuar komunitete të tëra nga “shushunjat e pushtetit” që majmeshin nga taksat e shqiptareve.

Për sa i takon pjesës profesionale të administratës lokale, ajo nuk është prekur nga reforma territoriale, sepse mbrohet me statusin e nëpunësit civil. Nga ana tjetër qeveria Rama për të afruar njerëz sa më të kualifikuar në administratën vendore ka ndjekur edhe një politikë stimuluese të pagave  në nivel vendor, duke i rritur ato me 40% në këto 2 vitet e fundit.

Por mbetet akoma më shumë për të bërë në drejtim të zbatimit te reformës territoriale dhe për këtë qëllim në datën 25 qershor duhet që PS të marre një mandat të qarte qeverisës për te vazhduar rrugën e reformave.

Dritare.net- Kjo është java e fundit dhe më e rëndësishmja. Çfarë do të bëni ndryshe nga gjithë muaji që kur ka nisur fushata?

Këto janë ditët më të zëna për mua sepse natyrisht ndërsa datat e vullnetit të sovranit afrohet, edhe intensiteti i mitingjeve, i takimeve, i mbledhjeve sa vjen e shtohet.

Ja po ndaj me ju, se mbledhja së fundit për ditën e djeshme, nisi ne orën 23.00 të mbrëmjes, me të gjithë kandidatët për deputetë, dhe ka përfunduar pas orës 3 të mëngjesit.  Por, kjo është diçka jo e pazakontë, pasi unë në përgjithësi i pëlqej orët e vona dhe e kam përshtatur edhe ekipin tim me këtë frymë, sepse kam dashur vërtet të bëjmë më të mirën dhe t’i shpalosim më të mirën qytetarëve gjirokastritë në këtë 1 muaj fushatë intensive.

Natyrisht në këtë javë të fundit do të kem përmbylljen e fushatës të mërkurën dhe ndryshe nga i gjithë muaji, ditët e mbetura do t’ia dedikoj plotësisht takimeve derë me derë më qytetarët.

Kam shkelur shumë zona të largëta që prej muajsh tashmë, sepse puna për ditën e zgjedhjeve nuk ka nisur me fushatën, por nuk do resht se shkuari deri në shtëpinë e fundit, me kërkesën që çdo qytetar të dalë në 25 qershor për të votuar, të marrë me vetë familjarë, miq, shok sepse për mua këto zgjedhje janë një datë historike që ndan Shqipërinë e së shkuarës me Shqipërinë e së ardhmes.

Dritare.net- Në rast se fitoni zgjedhjet në 25 qershor, z.Rama iu ka premtuar një karrige ministrore?

Posti ministror është mendimi i fundit tani. I gjithë fokusi, e gjithë energjia, të gjitha përgjegjësitë, janë të fokusuara vetëm tek një qëllim, një fitore spektakolare e PS në qarkun Gjirokastër, votëbesimi për 3 deputetë që do të na japë gjithashtu mundësinë të finalizojmë, me mbështetjen e qeverisë, finalizimin e projektit për ndërtimin e Gjirokastrës së të ardhmes. Ky është misioni im./ dritare.net