Rregullat e reja për punësimin dhe shkarkimin e mësuesve

mesuesitPërmes një udhëzimi të publikuar në Fletoren Zyrtare, Ministra e Arsimit ka përcaktuar procedurat përmes të cilave do të emërohen dhe do të largohen nga detyra mësuesit me arsimin parauniversitar. Udhëzimi përcakton procedurat e shpalljes së vendit vakant, mënyrën si do të aplikojnë konkurrentët, por edhe rastet apo shkeljet kur arsimtari largohet nga detyra. 

Prioritet në emërimet e reja për çdo pozicion do t’u jepet mësuesve të të njëjtit profil dhe mundësisht nga e njëjta njësi vendore ku gjendet vendi vakant. “Vendet e shpallura të lira në fillim u ofrohen mësuesve të të njëjtit profil dhe nivel, brenda së njëjtës njësi arsimore vendore (DAR)”, përcakton udhëzimi që mban firmën e Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, në të cilin është bashkangjitur edhe formulari që duhet të plotësojnë pretendentët për vendet vakante. 9 

RASTET E LARGIMIT 
Vendimi për largimin nga puna do të merret nga drejtori i institucionit arsimor në rastet e shkeljeve flagrante ose kur ka një vendim të formës së prerë në ngarkim të tij nga organet kompetente për një ose më shumë raste. Arsimtari largohet nëse ka falsifikuar dokumente zyrtare, ka nxitur vartësit e tij të falsifikojnë dokumente zyrtare, apo ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit. Sipas udhëzimit arsimtari shkarkohet në rast se ka ngacmuar seksualisht nxënës ose punonjës të institucionit apo ka përvetësuar fonde financiare ose materiale të institucionit. 

Largohen gjithashtu ata arsimtarë që kanë organizuar kurse me pagesë me nxënësit e shkollës së tij, apo jashtë saj kur nuk është i licencuar për të ushtruar këtë veprimtari private. “Kur ka marrë ryshfet; Ka bërë deklaratë të rreme në procesin e aplikimit”, përcakton udhëzimi. Kërkesat për lëvizje paralele dhe dokumentacioni përkatës i paraqiten drejtorisë së institucionit publik të arsimit parauniversitar, ku është vendi i lirë i punës. Drejtoria e institucionit publik të arsimit parauniversitar, mbi bazën e kërkesave të paraqitura, ngre komisionin për shqyrtimin e kërkesave për lëvizje paralele të mësuesve nga një institucion arsimor në një tjetër, për të njëjtin profil dhe nivel dhe brenda së njëjtës njësi arsimore vendore (DAR). 

“Komisioni shqyrton kërkesat për lëvizje paralele brenda 3 ditëve”, përcakton udhëzimi. Në rast se nuk ka kërkesa për lëvizje paralele, për institucionin arsimor ku është shpallur vendi i lirë i punës, për profilin/nivelin përkatës brenda 2 ditëve nga përfundimi i afatit 10-ditor për paraqitjen e dokumentacionit, drejtoria e institucionit arsimor parauniversitar, në bashkëpunim me DAR/ZA, shpallin vendin e lirë për konkurrim për kandidatë jashtë sistemit arsimor, në një mjedis publik të shkollës përkatëse, ambientet e DAR/ZA dhe në faqet e internetit./GSH