Sezoni turistik në Gjirokastër, masa për përmirësimin e infrastrukturës rrugore

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në hyrje të qytetit të Gjirokastrës me sinjalistikë e ndriçim të nevojshëm si dhe rehabilitimi i plotë nga gropat dhe plotësimi me bordura i rrugëve nacionale Tepelenë-Kakavijë, Gjirokastër-Sarandë dhe Tepelenë-Gjirokastër, do të lehtësojnë lëvizshmërinë e vizitorëve dhe turistëve këtë sezon turistik në Prefekturën Gjirokastër.

Në prag të sezonit turistik, Prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj, organizoi një takim pune me drejtuesit e Autoritetit Rrugor në jug të vendit, përfaqësues të firmave konçesionare që operojnë në sektorin e mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore, me pjesëmarrjen e supervizorëve të Bankës Botërore dhe drejtues të Policisë Rrugore, mbi masat e marra për rritjen e sigurisë rrugore për këtë sezon turistik.

Prefekti Aliaj tha për ATSH-në, se masat në prag të sezonit turistik kanë të bëjnë me hartimin e një plani konkret që ndërlidhet me të gjitha institucionet e linjës për mbarëvajtjen e sezonit turistik, duke pasur parasysh të gjitha dimensionet turistike që ofron Gjirokastra, turizmin malor, turizmin historik, fetar e tradicional.

Në këtë kontekst, u shpreh ai, është intensifikuar puna për përmirësimin e infrastrukturës, pastrimin e mjedisit dhe rivitalizimin e vlerave historike kulturore.

Pjesëmarrësit raportuan mbi gjendjen faktike të rrugëve nacionale, punën që po bëhet si dhe për masat që duhen marrë në vazhdimësi.

Konkretisht po bëhet pastrimi i plotë i rrugës dhe i bordurave anësore dhe veprave të artit gjatë gjithë aksit Tepelenë-Kakavijë.

Aliaj u shpreh se, ka nisur menjëherë mbushja e gropave me asfalt në aksin Gjirokastër-Sarandë. Ndërsa në segmentin rrugor Tepelenë-Gjirokastër ka nisur hapja e rrjetave metalike në skarpatat e trupit të rrugës për heqjen e materialeve inerte të grumbulluara gjatë viteve, si dhe po bëhet kompletimi i akseve rrugore me sinjalistikë horizontale dhe vertikale, gjatë gjithë gjatësisë të rrugës.

Në këtë takim u ngritën dhe disa shqetësime lidhur me bllokimin nga ana e komunitetit të disa veprave të artit si tombino, shkarkuesa anësor të rrugës në zonën e Kordhocës, si dhe u kërkua që nga institucione të qeverisjes vendore të merren masa dhe të zgjidhet problemi i ndërtimit të një prite malore në zonën e Lazaratit, si dhe të shikohet mundësia e pajisjes me leje për prerjen e disa pemëve, nga Bashkia Dropull, në aksin rrugor Kthesa Libohove – Kakavijë, të cilat bëhen pengesë dhe nuk lejojnë rrjedhjen e lirshme të ujit, suke u bërë shkak për përmbytje të tokave bujqësore e dobësimin e trupit të rrugës.

Për të ruajtur një mjedis të pastër, njësitë e qeverisjes vendore po parashikojnë që në çdo vendqëndrim të automjeteve në zonat e banuara, të vendosin kosha mbeturinash për komunitetin.

Prefekti theksoi se, edhe në segmentin rrugor në zonën e Viroit, të dëmtuar gjatë situatave emergjente të këtij dimri, që krijoi probleme në qarkullim e mjeteve, u trajtua si një mundësi, ndërhyrja e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARSH) për rehabilitimin e murit kufizues nga ana e liqenit, tashmë tepër i amortizuar dhe jofunksional.