‘Sherr’ për Gjirokastrën, Golemi i përgjigjet Kryemadhit: Je e fundit që duhet të flasësh për blerje votash dhe banda

Deputeti socialist i Gjirokastrës, Flamur Golemi duket se nuk ka duruar më dhe i është kundërvënë kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila dy herë brenda tre ditësh ka përmendur Gjirokastrën si një prej qarqeve ku bandat kriminale u përdorën në zgjedhje nga Partia Socialiste.

Golemi thotë se deklaratat e Kryemadhit janë shprehi e faktit se LSI nuk është mësuar të jetë ne opozitë dhe as nuk shfaqet dot si alternativë.

Nga ana tjetër ai i kujton akuzat e Bashës për LSI gjatë fushatës, kur e quante atë parti si ‘Sh.p.k politike’.

Më poshtë reagimi i plotë i deputetit të Gjirokastrës.

Kur  s’je në gjendje të krijosh një alternativë të re dhe nuk mësohesh dot ende me të qënit në opozitë, doemos që do të përsërisësh të njëjtin refren bajat që nuk të çon askund. E kam fjalën për kryetaren e LSI-së, e cila sot ka përmendur sërish Gjirokastrën si një zonë, ku sipas rezultati i zgjedhjeve është ndikuar nga ndërhyrja e bandave. Gjirokastritët zonja Kryemadhi, s’kanë nevojë për banda e banditë, për të bërë zgjedhjen më të mirë në çdo herë që i drejtohen kutive të votimit. PS është parti vlerash dhe jo ‘Sh.p.k politike’ siç shprehej gjatë fushatës për LSI-në aleati tuaj i sotëm në opozitë. Në Gjirokastër zhvilluam një fushatë model dhe morëm një rezultat historik sepse ishim dhe jemi alternativa më e mirë. LSI është e fundit që duhet të flasë për blerje votash apo të krijojë insinuata me banda e banditë imagjinarë. Në raportin e fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, blerja e votës është ilustruar vetëm me dy raste, dhe në të dyja rastet akuzohej LSI. Njëri rast ishte në Shkodër dhe tjetri në Fier.