Shifra të frikshme,76 divorce për tre muaj në Gjirokastër

Divorcet dhe ndarja e çifteve në Qarkun e Gjirokastrës po kthehen gjithmonë e më shumë në një fenomen të mprehtë social. Gjatë këtij viti, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër, janë regjistruar më shumë divorce, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas kancelares së Gjykatës së Faktit, Donalda Feruni, gjatë tremujorit të parë të vitit u regjistruan 76 kërkesa për ndarje familjare. Pjesa më e madhe e tyre janë miratuar nga Gjykata. Numri më i shumtë i kërkesave për divorc pranë gjykatës bëhet nga gratë që jetojnë në zonat rurale,  por nuk mungojnë edhe rastet kur këto kërkesa vijnë nga burrat.

“Pranë gjykatës sonë, në një vit jepen rreth 200 vendime për ndarje familjare dhe ky numër i divorceve vjen në rritje nga viti në vit”, shprehet kancelarja D. Feruni. Ndërkohë rritja e numrit të divorceve është shoqëruar edhe me shtimin e numrit të urdhër mbrojtieve të Gjykatës për familjarët e dhunuar. Në periudhën janar-mars, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër u regjistruan 16 kërkesa për urdhër mbrojtieje, kryesisht nga gratë e dhunuara, të cilat më pas kërkojnë ndarjen e çifitit.

Sipas sociologes Alsona Bala, në rritjen e divorceve të çifteve ndikojnë emigracioni masiv në zonën e Gjirokastrës, si dhe problemet ekonomike dhe sociale, me të cilat ballafaqohen familjet, dhuna në familje apo tradhëtia bashkëshortore. “Në disa raste meshkujt jetojnë për vite të tëra në emigracion duke përballuar vetëm punën dhe jetesën në vend të huaj. Kur kthehen, ata nuk arrijnë të ambientohen nga ana psikologjike dhe sociale me familjen dhe kryesisht me marrëdhënien bashkëshortore”, shprehet sociologia A. Bala.

Gjithashtu për sociologët edhe problemet ekonomike apo sociale, me të cilat ballafaqohet familja, dhe kryesisht çiftet e rinj, ndikojnë negativisht në shtimin e numrit të ndarjeve familjare. “Në kushtet e një varfërie sociale dhe ekonomike, disa familje e kanë mjaft të vështirë për të përballuar jetesën e përditshme, çka shton stresin dhe konfliktin në marrëdhëniet bashkëshortore, duke çuar deri në ndarjen e çifteve”, pohon sociologia A. Bala. Sipas saj, ata që e vuajnë me shumë piskologjikisht ndarjen e bashkëshortëve, janë fëmijët e çiftit,  të cilët rriten në mungesën e njerit prej prindërve./konica.al