Shkëlqimi dhe rënia e Flamur Bimes…

Flamur Bime prej ditës së sotme është një njeri i papunë. Të paktën në administratën shtetërore ku ai nuk ka më një post drejtues dhe ndoshta s’ka për ta pasur, ndonëse në pushtet është Partia Socialiste, e cila e shpërbleu për 12 vjet me radhë duke i besuar drejtimin e një prej bashkive më të rëndësishme në jug të vendit, Gjirokastrën.  Bime u zgjodh për herë të parë kryebashkiak në vitin 2003, në një garë të lehtë përballë demokratit Ylli Asllani.

Gjatë katër vjeçarit të parë Bime konsolidoi menjëherë pozitat e tij dhe akumuloi shumë pushtet ekonomik rreth vetes, që vinte kryesisht përmes lejeve të ndërtimit në qytetin e Gjirokastrës. Që në mandatin e parë ndaj tij nisën akuzat për betonizim të qytetit. Por sidoqoftë, edhe në kulmin e pushtetit të Berishës në vitin 2007, Bime mundi në zgjedhje një tjetër kandidat demokrat, Adi Kokalari.

Një vit pas rizgjedhjes në krye Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime përballet me momentin më të vështirë të karrierës së tij. Një pallat 5 katësh i ndërtuar në lagjen “11 janari” u shemb si pasojë e rrëshqitjes së dheut nga gërmimet për ndërtimin e një pallati tjetër pranë tij. Në këtë ngjarje pati edhe jetë njerëzish të humbura. U duk sikur nga kjo ngjarje s’do dilte pa pasoja as vetë kryebashkiaku, por Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër vendosi ndryshe. U liruan 3 nga 7 të akuzuarit si shkaktarë të tragjedisë me argumentin “për mungesë provash” dhe u dënuan gjithsej me 12.6 vjet burg e 1.5 milionë lekë gjobë 4 të akuzuarit e tjerë.

Bime vijoi punën si kryebashkiak i Gjirokastrës pavarësisht kësaj ngjarje. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, ai akuzohej nga Vangjel Tavo, në kohën kur ky po ikte nga PS për te LSI-ja, se kishte shitur zgjedhjet në Gjirokastër. Ndoshta akuza të tilla ishin edhe thjesht të sajuara nga Tavo, sa për të justifikuar deri diku largimin e tij nga PS. Sidoqoftë Bime vazhdoi të ishte aty në drejtimin e Bashkisë Gjirokastër dhe të kontrollonte të gjithë pushtetin që i jepte pozita e tij. Për shkak të luajalitetit ndaj Edi Ramës dhe sigurisht Gramoz Ruçit, ia doli që të kandidonte sërish për mandatin e tretë në vitin 2011.

Kësaj here për të larguar Flamur Bimen nga Bashkia Gjirokastër ishin bashkë PD dhe LSI. Kandidati i tyre ishte Genci Sinoimeri. Bime ishte deri diku i frikësuar se mund të humbiste. Nëse në dy fushatat e mëparshme të vitit 2003 dhe 2007 kishte në krah Vangjel Tavon, tashmë ai ishte kundër tij. Tavo nuk e kurseu aspak Flamur Bimen gjatë fushatës së vitit 2011. Në takimet elektorale në sheshe e tribuna, deputeti i LSI-së i kujtonte kryebashkiakut të Gjirokastrës mëkatet e dy mandateve të tij të para.

‘Flamur Bime i ka duart me gjak’, thërriste asokohe Tavo duke i kujtuar tragjedinë e pallatit të rrëzuar te ’11 Janari’, si dhe e akuzonte për betonizim të Gjirokastrës, shkatërrim të vlerave muzeale dhe abuzim me fondet publike. Më shumë për konsum publik, Tavo bëri padi për shpifje ndaj Bimes, duke i kërkuaar dëmshprblim prej 200 milionë lekësh, të cilat ai tha se do t’i çonte për bamirësi. Fati i padisë nuk u mësua asnjëherë si shumë çështje të tjera. Por Bime i mbijetoi edhe kësaj fushate.

Ai fitoi me një diferencë të konsiderueshme kundër Edi Sinoimerit. Dy vjet më vonë në pushtet erdhën socialistët. Bime vazhdonte i qetë në krye të Bashkisë Gjirokastër, e cila në dy vitet e para të socialistëve përfitoi disa milionë euro investime. I joshur nga pushteti dhe gjithë përfitimet që ai të jep, Bime shpresonte shumë për një mandat të katërt në krye të Bashkisë Gjirokastër. Por Edi Rama e nxori jashtë loje në shkurt të vitit 2015, disa muaj para zgjedhjeve lokale të atij viti.

INUK i bën kallëzim Bimes për shpërdorim detyre lidhur me shtesën e një pallati në qendër të lagjes ’18 Shtatori’. I shantazhuar nga kjo padi, njësoj si dy kryebashkiakë të tjerë socialistë, Bime u tërhoq nga pretendimi i tij për të kandiduar sërish. Madje përmes kësaj padie u detyrua të mbështeste Zamira Ramin, kandidaten e përbashkët të Ramës dhe Metës. Ky i fundit nga ana tjetër i kishte premtuar postin e Prefektit të Gjirokastrës nëse punonte për fitoren e Zamira Ramit përballë demokratit Igli Kokalari. Pak muaj pas zgjedhjeve lokale, Flamur Bime u emërua Prefekt i Gjirokastrës.

Për padinë e INUK-ut nuk u mor më vesh asgjë, duke konfirmuar atë që dyshohej që në fillim se kjo padi ishte thjesht për ta nxjerrë jashtë loje nga gara për kryebashkiak. Oreksi vjen duke ngrënë. Ndërsa vazhdonte të ushtronte detyrën si Prefekt i Gjirokastrës, Flamur Bime pretendonte të ishte në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së. Shpresoi për këtë deri në momentet e fundit përpara se të zyrtarizoheshin listat e deputetëve. Por Rama kishte zgjedhur në vend të tij një tjetër Flamur, ishte Flamur Golemi, i cili kishte pak kohë që drejtonte PS-në në Gjirokastër. Kur e pa veten jashtë listave, nisi krisja mes Bimes dhe PS-së.

Gjatë fushatës elektorale ai nuk u pa në takime me asnjë prej kandidatëve; Bledi Çuçi, Mirela Kumbaro dhe Flamur Golemi. Ajo që dyshohej apo thuhej nën zë në qytet, se Flamur Bime i hatërmbetur nga Rama, po punonte me Vangjel Tavon për fitoren e LSI-së, u konfirmua në një farë mënyre nga kryesuesi i listës së PS-së, Bledi Cuçi. Gjatë një interviste televizive, ai tha se nuk e dinte për kë po punonte Flamur Bime, por siguroi se nuk po punonte për fitoren e PS-së. Në disa takime të ngushta, Rama e paralajmëroi Bimen për pasojat që do të kishte nëse bëhej pengesë për fitoren e PS-së në Gjirokastër. Sidoqoftë zgjedhjet e 25 qershorit konfirmuan se faktori ‘Bime’ në Gjirokastër ishte pothuajse i papërfillshëm. PS mori 2 mijë vota më shumë se zgjedhjet e 2013 dhe çoi sërish në Kuvend tre deputetë. 4 muaj pas kësaj fitore, Bime i dorëzoi mandatin  prefektit të ri, Astrit Aliaj.

Në portretin e tij sot dallohej qartë pakënaqësia që po largohej nga ‘kështjella’ e fundit e pushtetit që i kishte dhënë Partia Socialiste. Sot e tutje ai është një njeri i lirë në pension politik dhe katër vite larg pensionit të pleqërisë. Disa e vlerësojnë punën e tij në krye të Bashkisë Gjirokastër. Të tjerë e akuzojnë për betonizim të qytetit dhe zhdukje të hapësirave urbane. Sidoqoftë ai mbetet një nga ‘lojtarët’ më të zotë të shahut politik në nivel lokal, pasi diti të mbante për 12 vjet ‘çelësat’ e Bashkisë Gjirokastër dhe për dy vjet drejtoi Prefekturën. Gabimi i tij më i madh ishte se nuk donte të kuptonte që i kishte ardhur momenti për t’u tërhequr. Largimi i tij në këtë mënyrë ndoshta nuk është më i miri që ai kishte menduar për veten e vet. Por mbase pushteti ndonjëherë tregohet cinik kur e shesh që e ke të vështirë të ndahesh prej tij.

© ArgjiroLajm.net