Shkolla e parë shqipe në Libohovë

Shkolla e parë shqipe në Libohovë është hapur në 4 korrik të vitit 1908 në një godinë në lagjen “Çaushlli” të qytetit me ndihmën e vendasve, të libohovitëve atdhetarë me banim në vendlindje dhe të mërguar në Stamboll, Athinë dhe Janinë, ndërsa mësuesi i saj i parë ka qenë Sherif Ruli, pa lënë mënjanë edhe kontributin e mësuesve të tjerë, si Eqrem Çano e Dervish Bejleri. Abetaret e para në gjuhën shqipe u hartuan, u shtypën dhe erdhën në Libohovë nga Janina.

Sipas mësuesit 81-vjeçar, Qazim Zaimi, përkrah mësuesit të parë që ndërmori nismën e guximshme nën presionin e pushtetit të xhonturqve dhe të shovinistëve të tjerë që nuk donin shkolla në gjuhën shqipe, qëndronin atdhetarët Kadri Gjata (Kumbaro), Myfit Bej Libohova, Bajo Topulli, shoqëritë atdhetare “Bashkimi”, “Zgjimi i Shqipërisë” etj., të cilat vazhdonin aktivisht veprimtarinë atdhetare në Janinë, në interes të përparimit kulturor të Shqipërisë. Sipas shtypit atdhetar të asaj kohe, krahas kontributit të drejtpërdrejtë të mësuesit Sherif Ruli, edhe roli i atdhetarit Kadri Gjata (Kumbaro) ka qenë vendimtar në hapjen e kësaj shkolle, pasi tekstet e para të abetareve, me të cilat u pajisën nxënësit e parë të kësaj shkolle ishin përgatitur, shtypur dhe dërguar nga Janina në Libohovë nga ky i fundit, që ishte në atë kohë një nga themeluesit e klubit “Bashkimi”, i cili vepronte në Janinë.

Ndonëse formalisht kushtetuta liberale e turqve të rinj u njihte të drejtën e arsimimit të gjithë shtetasve të Perandorisë, pa dallim feje, duke i shpallur ata si osmanlinj dhe turqishten si gjuhë zyrtare e të detyrueshme në shkolla, në praktikë regjimi xhonturk mohonte në thelb e në praktikë të drejtën e shqiptarëve për t‘u arsimuar në gjuhën amtare dhe për të pasur shkollat e tyre kombëtare. Në këto kushte, çelja e shkollave shqipe dhe përhapja në popull e mësimit dhe e këndimit shqip i atribuohet Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në mënyre të veçantë klubeve dhe shoqërive atdhetare.

Këto të fundit, qysh në ditët e para të formimit, në përputhje me statutet e programet e tyre, u kthyen në qendra të nxitjes së arsimit dhe veprimtarisë kulturore dhe sidomos të përpjekjeve për hapjen e shkollave dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Me nismën e tyre dhe me përkrahjen aktive të popullit brenda pak muajve u hapën shkolla jo vetëm në qytete me tradita si Libohova, por edhe në disa fshatra të tjera. Nga shkollat e para fillore shqipe, të çelura pas shpalljes së kushtetutës së xhonturqve, ishte ajo e Elbasanit, e Libohovës, e Gjirokastrës, e Vlorës, e Kaninës, e Tiranës dhe dy shkollat e Beratit.