Shqipëria e viteve ‘90, ekspozitë te shtëpia e Kadaresë në Gjirokastër

Fotografi Robert Pichler ekspozon “Kthim në kohë, Shqipëria e viteve ‘90” në Muzeun “Shtëpia Kadare” në Gjirokastër. Ai rrëfen mbresat e tij gjatë udhëtimeve që ka bërë nga Dukagjini në Kurvelesh. Historiani, antropologu dhe fotografi Robert Pichler rikthehet në Shqipëri për të ekspozuar “Kthim në kohë, Shqipëria e viteve ‘90”. Kësaj here destinacioni i ekspozitës së tij, është Muzeu “Shtëpia Kadare” në Gjirokastër.

Nën kujdesin kuratorial të Edit Pula (j) ekspozita çelet në datë 29 qershor, ora 19.00. Fotografi Pichler për herë të parë Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1989, por ende edhe sot i kujton njerëzit, që ka takuar pas rënies së komunizmit. Ndërkohë, që Shqipëria po pësonte një tranzicion të zhurmshëm, Robert Pichler, me aparatin e tij po fiksonte momentet. Ishte pranvera e vitit 1992, kur ai do të njihej nga afër me shqiptarët edhe Shqipërinë e Veriut. Mallra nga jashtë, lëvizje të dhunshme, makina, kamionë, çiklistë, karroca dhe kalimtarë, që zhvendoseshin nëpër rrugë vijnë nëpërmjet fotografive të tij në këtë ekspozitë.