Si kaloi 7 ton mall kontrabandë në Kakavijë, doganieri ia mbath, policia e shpall në kërkim

Rreth 7 ton mallra kontrabandë me një vlerë prej 800 mijë lekë janë sekuestruar nga policia e Gjirokastrës.

Në pranga u vu nga policia shoferi i një kamioni tip Volvo me targë AA 138 FZ që po transportonte mallrat, të cilat kanë hyrë në doganën e Kakavijës nga Greqia pa u deklaruar.

Mjeti u ndalua nga policia në aksin rrugor Gjirokastër – Tepelenë dhe u rikthye për vlerësim në Doganë.

Në kërkim doganieri i Kakavijës
Kamioni me rreth 7 ton mallra kontrabandë ka hyrë nga Greqia në Shqipëri përmes pikës së kalimit kufitar, Kakavijë.

Mallrat nuk janë regjistruar, ndërsa është lëshuar vetëm një deklaratë e thjeshtuar, duke iu shmangur kështu detyrimeve doganore.

Ndërkohë blutë kanë shpallur në kërkim B.P, përgjegjës i turnit në Degën Doganore Kakavijë.

Njoftimi i Policisë:
Më datë 08.04.2017, ora 23:38, u arrestua në flagrancë shtetasi Kudret Gjonaj (shofer) dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për shtetasin B. P, Përgjegjës Turni në Degën Doganore Kakavijë, të datëlindjes 25.01.1964 e 03.06.1968, banues në Sevaster Vlorë e Tiranë, sepse në orën 11:00, në P. K. K. Kakavijë, nga kontrolli në kamionin tip “Volvo” me targë AA 138 FZ, ju bllokuan 7 ton mallra të pa deklaruara me vlerë 800.000 lekë, kurse B.P, ka bërë një deklaratë të thjeshtuar, në kundërshtim me ligjin. Punohet për kapjen e B.P. Nenet 174 e 248 të K.P