Si nikoqire libohovite, Mirela Kumbaro gatuan për përmetarët (FOTO)

Qyteti i Përmetit festoi sot Ditën e Verës në një atmosferë fantastike. Qytetarë të shumtë, por edhe vizitorë vendas e të huaj kishin dalë në shesh, për të parë nga afër një seri aktivitetesh të organizuara me këtë rast. E pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Ndryshe nga herët e tjera që e kemi parë si zyrtare, kësaj radhe Kumbaro u prezantua si një amvisë, duke gatuar dhe servirur ushqime tradicionale të zonës. Siç shihet në fotot që sjell ArgjiroLajm.net bashkë me ministren në festime ishte i pranishëm edhe Bledi Çuçi, i deleguari i PS-së për qarkun Gjirokastër.

Veç panairit me ushqime tradicionale, sot në Përmet kishte dhe shumë aktivitete të tjera, si nxjerrja e rakisë me kazan bakri, kapërcimi i zjarrit me dëllinja, sazet e Përmetit me tingujt e gërnetës etj.

Pa harruar sigurisht lojrat popullore argëtuese si molla “rrotulluese”, patatja “ngatërrestare” , vezët “akrobate” si dhe daljet për “OZI-BOZI” të fëmijëve me shporta në duar teksa këndojnë “oziiii, boziiii erdhi martallloziii…”, ndërkohë që shportat mbushen me ëmbëlsira./ArgjiroLajm.net