Situatë kaotike me transportin e udhëtarëve në Libohovë, në emër të një ligji absurd gjobiten furgonët e fshatrave, pasagjerët ngelen rrugëve. Nëse nuk i japin zgjidhje, dilni në protestë

Prej disa ditësh është krijuar një situatë e pazakontë në Libohovë me transportin e udhëtarëve drejt Gjirokastrës. Furgonat e njësive administrative nuk lejohen të transportojnë pasagjerë. Po kështu krijohet pengesë edhe për linjën e orës 18:00 Libohovë—Gjirokastër, me pretendimin se ky orar nuk është miratuar në licencën e dhënë nga ministria. Njësia Task Forcë nga Ministria e Transporteve ka vendosur gjoba ndaj furgonëve, me pretendimin se licencat e tyre janë dhënë në kundërshtim me ligjin dhe se transportin drejt Gjirokastrës duhet ta kryejnë vetëm mjetet e linjes Libohovë-Gjirokastër.

Pra, sipas kësaj Task Force nuk mund të ketë linjë Nepravishtë-Gjirokastër, Labovë-Gjirokastër apo Zagori Gjirokastër. Por banorët e këtyre fshatrave duhet të mbërrijnë fillimisht në Libohovë dhe më pas të përdorin autobusët e licencuar nga Ministria e Transporteve për linjën drejt Gjirokastrës. Në letër ligji është i tillë, por në realitet është praktikisht i pazbatueshëm dhe duhet ndryshuar me patjetër.

Ata që mbajnë furgonë apo autobusa në fshatrat që po zbrazen përditë nga popullsia, në fakt janë heronj të heshtur që duhen falenderuar dhe jo gjobitur në emër të një ligji idiot. Shoferët e këtyre furgonëve ‘mbajnë gjallë’ fshatrat e tyre, transportojnë mallra të domosdoshme për banorët dhe janë një urë komunikimi me Gjirokastrën.

Në këto kushte gjobitja e këtyre linjave është një absurditet. Bashkia Libohovë po përpiqet institucionalisht për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi në Ministrinë e Transporteve. Ndërkohë që ditët e fundit është krijuar një situatë kaotike me udhëtarët, ata që duhet të shkojnë në punë, në shkollë apo tek mjeku. Nëse vijon kjo situatë e pazakontë, zgjidhja e vetme është protesta. Banorët e Nepravishtës, Bulos, Labovës apo edhe vetë Libohovës të dalin e të bllokojnë autostradën në Sofratikë, si formë presioni dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj problemit të tyre.

©Libohova Online