Sondazhi/ Nga 61 bashki PD fiton 20. Libohova i kalon të majtës

10931386_1043357882357895_8035225179254728378_nSondazhi i Zaloshnjës flet për 340 mijë të pavendosur dhe 380 mijë abstenues.Të majtës në zgjedhjet lokale të 2015-s do t’i firojnë 200 mijë vota, ndërsa të djathtës 30 mijë vota. Analisti dhe eksperti i sondazheve, Eduard Zaloshnja, jep këto shifra pas një studimi statistikor të kryer, që përfshin sondazhe të zhvilluara në një periudhë tremujore.

“Për kandidatët e ‘së majtës’ janë gati të votojnë sot rreth 800 mijë votues (nga 1 milion që votuan për partitë e koalicionit ‘të majtë’ në qershor 2013); për kandidatët e ‘së djathtës’ janë gati të votojnë rreth 650 mijë votues (nga 680 që votuan për partitë e koalicionit ‘të djathtë’ në qershor 2013). Rreth 340 mijë votues janë të pavendosur, ndërsa rreth 380 mijë votues janë të vendosur të mos votojnë”, janë shifrat që Zaloshnja jep në komentin e tij. Firoja e mazhorancës vjen kryesisht nga votuesit e PS-së dhe partive të vogla të majta, si PSD, PDS etj., ndërsa firoja e opozitës vjen kryesisht nga votuesit e partive të vogla të djathta, si PDIU, PR etj. Në këtë studim, bëhet e ditur se deri më tani, nga 61 bashki në shkallë vendi e djathta do të fitojë 20 njësi vendore.

“Duke analizuar konfigurimin e votave të 2009-s, 2011-s dhe 2013-s, në 61 bashkitë e krijuara me ndarjen e re territoriale, rezulton se kandidatët e opozitës mund të kenë shans të fitojnë në 20 prej tyre. Në këto 20 bashki bëjnë pjesë: Bulqiza, Mirdita, Durrësi, Malësia e Madhe, Kruja, Lezha, Shijaku, Mati, Fushë-Arësi, Devolli, Shkodra, Vau i Dejës, Vora, Dibra, Klosi, Kukësi, Hasi, Kamza, Kurbini, Pusteci dhe Tropoja. Kuptohet që këtu bëhet fjalë për shans në letër, sepse gara në terren do të varet nga kandidatët që do të nxjerrë secila palë në secilën prej këtyre bashkive”, shprehet Zaloshnja. Sipas tij, Tirana përbën një rast të veçantë, sepse nga sondazhet e kryera në kryeqytet, rezulton se 33% e votuesve janë gati të votojnë për një kandidat të pavarur nga partitë kryesore. “Në qoftë se një i tillë do të kandidonte në Tiranë, gara do të bëhej vërtet e paparashikueshme”, thekson Zaloshnja./Shqip