Sot kupa “Pavarësia”, hidhet shorti

1480278947kupaKëtë të Hënë në stadiumin Selman Stërmasi në kryeqytet do të zhvillohet edicioni i 8-të i Kupës “Pavarësia”. Gjithçka do të startojë në orën 11:00 të paradites, me Federatën Shqiptare të Futbollit që ka përcaktuar edhe shortin për 4 skuadrat pjesëmarrëse.

Prishtina, Shkëndija e Tetovës, Otranti i Ulqinit dhe Kukësi kanë mësuar sot kundërshtarët respektivë, përsa i përket fazës gjysmëfinale të këtij turneu.

Në një cermoni të organizuar mbrëmjen e kësaj të Diele në ambientet e Resortit “Tropikal” në Durrës me pjesëmarrjen e drejtuesve të të 4-t skuadrave është zbuluar edhe shorti i këtij edicioni. Kupa “Pavarësia” do të nisë me sfidën e parë gjysmëfinale që do të zhvillohet në orën 11:00 të kësaj të Hëne atë mes Otrantit të Ulqinit dhe Prishtinës. Në orën 12:00 do të jetë rradha e Kukësit dhe Shkëndijës së Tetovës për të zbritur në fushë.

Të gjitha ndeshjet e Kupës “Pavarësia” do të zgjasin nga 45 minuta dhe në rast barazimi skuadra fituese do të përcaktohet nga goditjet e penalltive. Dy skuadra që do të triumfojnë në ndeshjet gjysmëfinale do të përballen mes tyre në orën 13:15 për të përcaktuar skuadrën fituese të edicionit numër 8 të Kupës “Pavarësia”.

Për 6 vite me rradhë ky kompeticion është zhvilluar në Vlorë, vitin e kaluar në Durrës ndërsa tashmë në Tiranë. Qëllimi i Federatës Shqiptare të Futbollit është ta zhvillojë Kupën “Pavarësia” në sa më shumë qytete të Shqipërisë madje ta transferojë atë edhe në trojet shqiptare jashtë vendit.

/ Top Channel