Sport dhe turizëm, “Rafting Vjosa Outdoor Sports” një histori suksesi në Përmet

Konsiderohet si një sport i ri për vendin tonë, por që po pëlqehet gjithnjë e më shumë nga vendasit dhe sigurisht nga të huajt që e njohin më shumë se ne. Është fjala për rafting, i cili është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të promovuar turizmin dhe bukuritë natyrore të vendit tonë.

E kur është fjala për rafting, ku më mirë se sa në rrjedhën e Vjosës, lumit të dytë më të madh në vend, mund t’i përjetosh emocionet këtij sporti. Për ta çuar më tej këtë sipërmarrje të rëndësishme në jug të vendit, është themeluar “Rafting Vjosa Outdoor Sports”, një organizatë jo fitimprurëse, e cila ka si aktivitet kryesor të saj rritjen e ndërgjegjësimit të aktiviteteve sportive në shërbim të turizmit, por edhe ofrimin e ndihmës për komunitetet vendase që ta zhvillojnë më tej turizmin si një sektor që gjeneron të ardhura për ekonomitë e tyre familjare.

Krahas rafting dhe ecjeve në kanionet e Vjosës, kjo shoqatë ofron edhe një sërë aktivitetesh të tejra si guida turistike brenda qytetit të Përmetit, guida në zonat përreth, trajnime profesionale për të ushtruar sportet ujore, si dhe hiking. Ndonëse është në vitet e para të saj, “Rafting Vjosa Outdoor Sports” është zgjeruar edhe përtej qytetit të Përmetit, duke ofruar ecje në mal e rafting edhe në Skrapar e Kolonjë. Synimet e shoqatës për vitet e ardhshme janë tejet ambicioze dhe pritet të kenë impakt të madh në ekonominë lokale. “Rafting Vjosa Outdoor Sports” do të diversifikojë shërbimet, duke ofruar disa paketa të ndryshme turistike për të gjitha grupmoshat dhe çfarë është më e rëndësishmja të zgjasë kohën e qëndrimit të turistëve në zonën e Përmetit.

Nga të dhënat e tre viteve të fundit është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të vizitorëve në zonën e Përmetit dhe “Rafting Vjosa Outdoor Sports” sigurisht që ka një meritë të madhe për këtë. Konkretisht në vitin 2014 numri i vizitorëve llogaritej në rreth 1400 vetë, në vitin 2015 në rreth 2200 vetë, ndërsa në vitin 2016 në rreth 3000 vetë. Pritshmëritë për 2017 janë gjihashtu të larta. Sa i përket vendit të origjinës së turistëve, ndarja është pothuajse 50 me 50% vendas e të huaj. Këta të fundit vijnë kryesisht nga shtete si Holanda, Gjermania, Italia, Franca dhe vendet e Lindjes së Europës.

Në anketime të ndryshme që shoqata ka kryer rezulton se feeedback-u i marrë prej turistëve, qofshin vendas apo të huaj, është tejet pozitiv dhe kjo padiskutim është motivi kryesor që “Rafting Vjosa Outdoor Sports” të vazhdojë planin e saj ambicioz për shtrirje të aktivitetit dhe diversifikim të paketave turistike. Por veprimtaria  e kësaj shoqate ka edhe një dimension tjetër shumë të rëndësishëm, që ka të bëj me mbrojtjen e mjedisit dhe respektin për natyrën. Aktivitet e saj kryhen në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare të rafting dhe nuk cënojnë aspak florën dhe faunën e pasur të luginës së Vjosës.

“Rafting Vjosa Outdoor Sports” është ndër të tjera edhe një zë i fuqishëm e serioz  në jug të vendit, që ndikon në ndërgjegjësimin e qytetarëve apo institucioneve shtetërore, për mbrojtjen e ujërave të Vjosës si një pasuri kombëtare, që me siguri do të na e kishin zili të gjithë. Shoqata po shkon gjithashtu drejt ngritjes së qendrës së rafting në Përmet dhe po bën të gjitha përpjekjet duke lobuar për të përmirësuar infrastrukturën në këtë zonë, me qëllim që turizmi të gjenerojë vende të reja pune dhe të ardhura për ekonominë vendase.

“Rafting Vjosa Outdoor Sports” është natyrisht një tjetër histori suksesi, një model që mund të frymëzojë të tjerë njerëz në Shqipëri për të ngritur sipërmarrje të tilla të vogla në dukje, por me rëndësi jetike për ekonominë lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Shqipëria është e “përkëdhelur” nga natyra, me pasuri të jashtëzakonshme natyrore. Duhet vetëm pak nuhatje dhe iniciativë për të ngritur sipërrmarrje të tilla. “Rafting Vjosa Outdoor Sports” është model për t’u ndjekur./SME Albania