Stërvitje për zjarrin në Gjirokastër, Shqipëri-Greqi bëhen bashkë

Shërbimet zjarrfikëse të Gjirokastrës dhe rajonit të Epirit zhvilluan një stërvitje të përbashkët  në zonat kufitare të Koshovicës dhe Kastanjas.

Në të u përfshinë 27 efektivw, si dhe 9 automjete. Zjarrfikësit shqiptarë dhe grekë ndërhynë  për të shuar zjarret e improvizuara në zona të banuara, por edhe në sipërfaqet pyjore dhe kullotat në zonën kufitare.

Stërvitja vjen ndërsa ka hyrë vera që sjell në këto zona edhe situata problematike me zjarret për shkak të temperaturave të larta, por dhe zjarrvënies së qëllimshme për hapje të tokave bujqësore.

Stërvitja u ndoq nga afër nga konsulli shqiptar në Janinë, Pervin Gjikuria, konsulli grek në Gjirokastër, Vasilios Tolios, si dhe përfaqsues të pushtetit vendor në të dyja anët e kufirit. Dy konsujt ishin në të njëjtën linjë kur theksuan se bashkëpunimi  dy palësh për parandalimin dhe ndërhyrjen në rast të zjarrjeve në stinën e verës duhet të shtrihet edhe në fusha të tjera.

Palët ranë dakord për marrjen e masave të shtuara nga pushteti vendor në dy anët e kufirit sa i takon shkëmbimit të informacionit në rastet e emergjencave civile të verës.