Studentët e Stokholmit eksplorojnë Gjirokastrën (FOTO)

Olta Zunbergerin e gjejmë në zonën historike të Gjirokastrës ndërsa me hartë në duar përpiqet të identifikojë monumentet e kulturës.

“Gjirokastra e UNESCO-s si dhe Jugu i Shqipërisë në përgjithësi kanë histori të pasur dhe natyrë të mrekullueshme, çka i bëjnë ideale për zhvillimin e një turizmi cilësor”, na thotë Olta duke ndërprerë për disa minuta punën kërkimore.

Ajo është studente e degës së turizmit në Universitetin e Stokholmit dhe së bashku me një grup studentësh dhe pedagogë të këtij unversiteti po zhvillojnë praktikën akademike në monumentet e Jugut.

“Vlerave turistike që ka kjo zonë i shtohet mikpritja dhe bujaria e njerëzve duke qenë edhe ato ndër premisat kryesore për zhvillimin e turzimit”, vazhdon bashkëbisedimin studentja nga Suedia, ndërsa në një bllok shënimesh nxiton të shkruajë frazën që na ka cituar. Pas disa minutash, pranë Qafës së Pazarit, mblidhen të gjithë pjesëtarët e grupit nga Suedia. Ata janë tetë studentë si dhe disa pedagogë të Universitetit të Stokholmit,  të cilët po studiojnë mënyrat e zhvillimit të turizmit cilësor në Jug të vendit.

“Para se të vinim këtu, ne studiuam qytete të ndryshme të botës, kryesisht pasuri botërore të UNESCO-s, në lidhje me zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Evidentuam se  Gjirokastra gjatë viteve të fundit ka pasur një zhvillim cilësor të turizmit, çka na tërhoqi të kryejmë praktikën mësimore në këtë qytet”, shprehet pedagogu Hugo Palmskold.

Ndërsa bashkëbisedojmë, ecim së bashku me grupin në rrugët e kalldrëmta, ndërsa ata të fiksojnë në pajisjet studimore çdo element të Gjirokastrës së gurtë. Gjatë këtyre ditëve të qëndrimin në Gjirokastër, studentët nga Stokholmi kanë bashkëbiseduar me përfaqësues të institucioneve publike, bizneset lokale, komunitetin etj, në lidhje me ecurinë dhe mbështetjen që japin këta faktorë për zhvillimin e turizmit.

“Kemi disa ditë që qëndrojmë në qytet. Kemi realizuar një pyetësor me subjekte të ndryshme lokale për zhvillimin e turizmit dhe përfshirjen e tyre në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë për Gjirokastrën. Kudo kemi gjetur bashkëpunimin dhe dashamirësinë e njerëzve për ta zhvilluar sa më mirë praktikën akademike”, pohon studentja Jennifer Foglberg ndërsa nis bashkëbisedimin në gjuhën angleze me administratorin e një biznesi turistik.

Grupi i studentëve po evidenton me interes shfrytëzimin e resurseve lokale në fusha të ndryshme për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Specialisti i turizmit, Edvin Lamçe, i cili po shoqëron grupin nga Suedia, shprehet se përfshirja e zhvillimit të sektorit të turizmit në Jug të vendit në studime të tilla është me interes të veçantë. “Grupi i studentëve nga Stokholmi po mbledh një informacion të gjerë për mënyrat dhe ecurinë e zhvillimit të turizmit në qytete si Gjirokastra, pasuri e UNESCO-s.

Në përfundim, studimi i përgatitur prej tyre mund të shfrytëzohet fare mirë nga faktorët lokalë për zhvillimin e një turizmi cilësor”, pohon ai. Ndërsa ndahemi me grupin e studentëve dhe pedagogëve nga Suedia, ata shprehen të bindur për të vazhduar punë studimore duke dhënë një kontribut të vlefshëm për zhvillimin e turizmit në Jug të Shqipërisë./konica.al