Subvencionet e fermerëve, shtohet numri i përfituesve në Gjirokastër

Në Gjirokastër është rritur numri i fermerëve që pritet të përfitojnë këtë vit prej skemave mbështetëse për blegtorinë. Sipas specialistëve ulja e pragut për numrin e krerëve të bagëtisë së imët nga 100 në 50, mundësoi aplikimin e 200 fermerëve të rinj.

Ka nisur aplikimi edhe për skemat mbështetëse edhe në vreshtari, bletari, dru frutorë si dhe investime në agrobiznes.

“Ne si qark gjithmonë kemi patur një numër të konsiderueshëm dhe jemi ndër qarqet që kemi pasur më shumë aplikantë në rang vendi. Sivjet, duke pasur parasysh këto skema them që nga 760 aplikantë që ka pasur vjet, sivjet duhet të jenë rreth 150-200 aplikantë më tepër”, thotë Kostandin Rapi, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë.

Sipas studimit kombëtar të kryer më 2015, qarku i Gjirokastrës pritet të mbështetet në 80% të fondit për blegtorinë.

Sipas ministrisë së Bujqësisë, përveç blegtorisë, prioritet këtë vit do të ketë mbështetja me subvencione edhe për mbjelljen e fidanëve autoktonë. Përparësi do të kenë fermerët që aplikojnë më herët.

“Dhënia e informacionit nga AZHBR dhe drejtoria e bujqësisë me anë të shërbimit të ekstensionit, u bënë takime të ndryshme në qarqe të ndryshme, me fermerë potenciale me fermer të ndryshëm në mënyrë që ata të kishin informacionin çfarë skemash do të jenë këtë vit”, thotë Barie Rexha, Përgjegjëse në Drejtorinë e Politikave.

Gjatë vitit të kaluar në Gjirokastër u shpallën fitues 660 nga 760 aplikantë. Qarku i Gjirokastrës është qarku kryesor blegtoral në vend me rreth 400 mijë krerë bageti të imëta, 20 mijë gjedhë dhe mbi 21 mijë koshere bletësh. Gjirokastra gjithashtu ka rreth 700 ha të mbjellë me vreshta dhe 1300 ha me frutikulturë dhe ullinj./tch