Tatimorët në Libohovë, kontrolle dhe gjoba tek bizneset për kuponin tatimor

Prej dy ditësh inspektorë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po ushtrojnë kontrolle në bizneset e qarkut Gjirokastër.

Sot në mesditë dhe gjatë mbrëmjes kontrolle janë ushtruar edhe në bizneset e Libohovës.

Në disa prej tyre ata kanë vendosur gjoba që variojnë nga 10 mijë në 100 mijë lekë të reja, për shkak të moslëshimit të kuponit tatimor, fshehjes së xhiros reale apo mungesës në dokumentacion.

Në vjeshtë qeveria ka paralajmëruar një tjetër aksion të ashpër kundër bizneseve që ushtrojnë aktivitet pa kupon tatimor. Kryeministri Rama e ka renditur këtë çështje si një ndër 10 prioritetet e 100 ditëve të para të qeverisë së re.

Megjithatë në shumë raste aksionet për kuponin tatimor janë parë si fushata për të mbushur arkën e shtetit me gjoba që rëndojnë biznesin, ndërkohë ka ende plot abuzim dhe korrupsion në radhët e inspektorëve që ushtrojnë këto kontrolle.

/Libohova Online/