Tavo bëhet euforik, shpall fitoren e deputetes së dytë të LSI-së në Gjirokastër (Emri)

LSI jo vetëm ka zyrtarizuar kandidaten e dytë në listë për deputetë në qarkun Gjirokastër, por e ka shpallur fitoren e mandatit të dyte ende pa u mbajtur zgjedhjet. Vangjel Tavo ka zhvilluar së fundi një takim me struktura të partisë në Tepelenë, ku tha ndër të tjera se ai ishte i bindur që në vitin 2013 se LSI-ja do të përfaqësohet me dy mandate deputetësh në qarkun Gjirokastër.

“Kemi ardhur në rritje të vazhdueshme si parti. Në 18 qershor ne si parti do të jemi forcë e parë në qark. S’ka forcë politike në Gjirokastër që të jetë kaq pranë njerëze sa LSI-ja. Jemi 1160 vota para PS-së në Gjirokastër. Mandati i dytë i LSI-së është i sigurt, prandaj Ediolës unë i uroj që sot detyrën e re”, tha Tavo teksa prezantoi Ediola Brahën.

Kjo e fundit pritet të jetë e dyta në listën e LSI-së. Aktualisht ajo është kryetare e LSI Tepelenë dhe drejtoreshë e spitalit të qytetit. Një vit më parë ish-nëndrejtori i spitalit Tepelenë, Avni Bega e denoncoi Ediola Brahën për abuzime me fondet publike dhe shpërdorim detyre. Sipas tij Braha ka abuzuar me rreth 80 milionë lekë të vjetra. Pas këtij denoncimi, Avni Bega u dhunua nga persona të paidentifikuar.

/ArgjiroLajm.net/

Ediola Braha, kryetare e LSI Tepelene.