Tavo bën shantazh me pamjet filmike, Prokuroria hesht: Drejtues të policisë po blejnë vota për PS-në

Kandidati për deputet i LSI-së, Vangjel Tavo ka akuzuar mbrëmë Policinë e Shtetit se po blen vota për Partinë Socialiste dhe drejtues të kësaj të fundit në Gjirokastër. Ai shkoi edhe më tej kur tha se i ka të regjistruara këto tentativa.

‘Ata mendojnë se po flemë. Po ju them, deri tani kam tre raste të evidentura të filmuara, që janë drejtues të PS-së këtu në Gjirokastër që po përpiqen. Kam rast në Tepelenë, që është drejtues i policisë, që po bën tentativën e blerjes së votës. I kam të regjistruara. Le të më nxjerrin mua një rast, të stafit tim të LSI-së, jo gjëra të stisura”, tha Tavo gjatë një interviste për Televizionin Channel 7.

Pyetjet që shtrohen në këtë rast janë këto:

Përse Vangjel Tavo nuk i dorëzon në Prokurori këto pamje dhe të bëjë denoncim?

Përse Prokuroria e Gjirokastrës nuk nis hetimet kryesisht pas këtyre deklaratave dhe të kërkojë sekuestrimin e pamjeve filmike?

A mos kemi të bëjmë thjesht me një shantazh të kandidatit të LSI-së, dy ditë para zgjedhjeve?

Mos ndoshta Tavo i mban këto regjistrime për t’i përdorur më pas si alibi në rast të mosarritjes së një rezultati të dëshiruar në Gjirokastër?

Një deputet prej 20 vitesh si Tavo, nuk mund të bëjë shantazh nëpër studio televizive, por ka detyrimin të veprojë sipas ligjit. Ose të publikojë pamjet për transparencë ndaj publikut dhe më pas t’i drejtohet organeve kompetene për kallëzim penal ndaj personave që ai pretenton se po blejnë vota.

/ArgjiroLajm.net/