Tavo flet sikur LSI s’ka përgjegjësi për qeverisjen: Ne i mbajtëm premtimet tona!

Vangjel Tavo, deputeti i LSI-së në Qarkun e Gjirokastër në një intervistë për gazetën “Telegraf” thotë se LSI-ja i ka përmbushur premtimet elektorale që i dha votuesve në 2013, duke ndarë kështu përgjegjësitë nga PS-ja, ndonëse kanë qeverisur së bashku për 4 vite. Intervista e tij është pothuajse në sintoni të plotë me retorikën e fundit të LSI-së, për t’u distancuar nga PS-ja duke i faturuar Ramës pjesën e dështimeve.

LSI shkon krenare në zgjedhjet e 18 Qershorit, pasi ne i kemi përmbushur premtimet dhe synimet tona; kemi ngritur zërin dhe jemi përpjekur të ofrojmë zgjidhje për nevojat e qytetarëve shqiptarë apo të mbarë vendit. Ky qëndrim i yni është kuptuar fare mirë nga qytetarët shqiptarë ndaj edhe ne do kemi vlerësimin e tyre. Qytetari shqiptar duhet të jetë gjykatësi dhe juria e punës sonë dhe e çdo qeverie, apo force politike”, thotë Tavo në një intervistë me përgjigje plot folklorizëm dhe populizëm.

I pytur për opozitën e cila nuk pranon të hyjë në zgjedhje pa qeverinë teknike, Tavo mban një qëndrim të ngjashëm me atë të zyrtarëve të tjerë të LSI-së dhe kryetarit Ilir Meta. Sipas tij nuk mund të shkohet në zgjedhje parlamentare, duke përjashtuar forca politike, sikurse Opozitën, por duke i garantuar edhe Opozitës mbrojtjen e votës.