Tavo vazhdon sulmet ndaj Policisë së Shtetit dhe Artemisa Dralos: Po nxitin konflikt etnik!

Ndërsa Policia e Gjirokastrës reagoi sot pas akuzave të një dite më parë nga Vangjel Tavo lidhur me ngjarjen ku ishte i përfshirë Ansambli i Dropullit, kandidati i LSI-së ka folur sërish.

Ai thotë se ka qenë në një takim me përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it, të cilët i ka informuar për atë që ai e cilëson intimidim të fëmijëve të ansamblit prej Policisë së Shtetit dhe kandidates së PS-së, Artemis Dralo.

Nga ana tjetër Tavo flet për tentativë të minipulimit të zgjedhjeve përmes ndryshimit të qendrës së KZAZ-së.

Më poshtë reagimi i i tij i plotë:

Sapo mbarova një takim me përfaqësuesit e OSBE/ODIHR të cilët i informova mbi intimidimin e Policisë së Shtetit dhe kandidates së PS ndaj fëmijëve për të nxitur një konflikt etnik! I informova mbi presionet që po bëhen ndaj banorëve të Dropullit, tentativave për të manipuluar zgjedhjet përmes ndryshimit të qendrës së KZAZ-së, dhe formave të tjera të cilat dëmtojnë një proces të drejtë dhe demokratik votimi në Bashkinë e Dropullit!

I kërkova prezencës së OSBE/ODIHR të shtojnë numrin e vëzhguesve dhe të monitorojnë me rreptësi aktivitetin e strukturave të larta të Policisë së Shtetit që të distancohet nga presioni dhe përpjekjet për të ndikuar në votën e lirë të banorëve!

I bëj thirrje për të disatën herë të gjithë faktorëve destabilizues, mos tentoni të tjetërsoni vullnetin e lirë të banorëve të Dropullit dhe mbarë qarkut të Gjirokastrës!

Ju ftoj burrërisht dhe fisnikërisht të përballemi me votë të lirë me datën 25 qershor!

Vota e lirë është fitorja dhe shpresa e mbarë qarkut të Gjirokastrës dhe me sa duket frika dhe dëshpërimi juaj!