Tifozat Kuq e Zi kundër trajnerit të kombëtares U-21

kqz-300x200Tifo-grupi më i organizuar shqiptar, mbështetës të kombëtareve në futboll, por jo vetëm, kanë reaguar ndaj një deklarate të Redi Jupit, ditën e emërimit si trajner i ekipit kombëtar U-21. “Tifozat Kuq e Zi” shkruajnë si më poshtë:

“Rezultatet e mira që po merr kombëtarja jonë kohëve të fundit kanë bërë që edhe Federata Shqiptare e Futbollit të marrë më me seriozitet menaxhimin, por edhe afrimin e lojtarëve më të mirë në ekip.

Në vazhdën e kësaj pune besojmë se është edhe angazhimi si trajner në ekipin Shpresa i dikur mesfushorit të kombëtares, Redi Jupi, që deri tani ishte shef i zyrës së talenteve pranë FSHF-së.Në prezantimin e tij, z.Jupi, i pyetur për dy lojtarë që luajnë në Zvicër e që shihen potencial nga kombëtarja jonë, është përgjigjur: Ata mund të jenë lojtarë shumë të mirë, por duhet të kenë dëshirën për të ardhur dhe më pas ne duhet t’i thërrasim!!!???

Si shkas për këtë, “Tifozat Kuq e Zi” e ndiejnë nevojën të reagojnë ndaj deklaratave të zyrtarëve të FSHF-së, në veçanti të trajnerit të posazgjedhur të ekipit Shpresa, dhe menaxherit të Kombëtares, Alban Bushi.Redi Jupi, si drejtor i zyrës së talenteve, jo rallëherë ka dhënë deklarata kontradiktore dhe të pamatura në raport me negociatat që janë zhvilluar me talente të ndryshme.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm që negociatat duan kohë, duan durim, madje shumë durim, por, po ashtu, jemi të vetëdijshëm që për shumë raste në të kaluarën ka pasur deklarata të ngutura të dy zyrtarëve të lartëpërmendur për refuzim të Shqipërisë, madje edhe për ata që sot djersisin fanellën kuqezi.

Kujtojmë rastet kur për mesfushorin e tanishëm, Ergys Kaçe, ka patur deklarata se ai ka zgjedhur Greqinë, e po kështu ka ndodhur edhe për disa lojtarë të ekipeve të moshave. Ne, si “Tifoza Kuq e Zi” kërkojmë nga stafi menaxherial i kombëtares, veçanërisht nga zyrtarët e saj, që të jenë më të matur në raport me tifozin shqiptar dhe ta konsiderojnë çdo talent shqiptar si potencial të Shqipërisë deri në momentin që ai do të luajë për një ekip tjetër kombëtar.

Nuk jemi që të mos shpaloset e vërteta, sado e hidhur të jetë, por, po ashtu, ne mund të mos jemi të mirëinformuar, ama nuk jemi fare të painformuar. Janë me dhjetëra raste kur “Tifozat Kuq e Zi” kanë ndërmjetësuar dhe kanë qenë pjesë e negociatave me talentë, negociata që janë vërtetë të lodhshme.

Për fund, ne nuk kemi asgjë personale me personat në fjalë, madje i kemi duartrokitur kur ata vishnin fanellën si lojtarë të Kombëtarës sonë, i kemi dashur dhe i duam, thjesht dëshirojmë që punën për të cilën paguhen ta kryejnë ashtu si u takon.”