Tragjike, ndërron jetë polici nga Gjirokastra. Bëri aksident në Valare sapo nisi pushimet

Aksidenti i ditës së dielë në Gjirokastër ka rezultuar fatal për një prej punonjësve të Policisë së Shtetit, i cili sot është ndarë nga jeta pas disa ditesh i shtruar ne spitalin e Traumes ne Tirane. Bëhet fjalë për Ervin Mëhillin 35 vjeçarin nga qyteti jugor i Gjirokastrës, i cili nuk mundi dot tu shpëtonte plagëve të rënda të marra në kokë si pasojë e aksidentit qe ndodhi në aksin rrugor Gjirokastër– Valare

“Gazeta Express” raporton se Ervini, i cili ishte aktualisht në vitin e dytë në akademinë e policisë në degën e Sigurisë për hetim të krimit, prej pak ditësh kishte marrë lejen vjetore, të cilin ishte nisur ta kalonte me familjen në qytetin e vendlindjes.

Kush ishte Ervini?

Ervin Mëhilli ka shërbyer si agjent krimesh në sektorin e drogës në Elbasan dhe më pas në Tiranë në grupin operacional. Kolegët dhe miqtë e tij rrëfejnë për “Gazeta Express” se Ervini ka qenë një nga talentet e policisë së shtetit, i cili ka mbaruar shkollën me mesatare të lartë dhe pa frikë e ardhmja e tij do të ishte në majat drejtuese të policisë së shtetit.

Ervini babai i dy djemve, kishte pak kohë që ishte shpërngulur në Tiranë së bashku me familjen, por që prej ditës së sotme, ai do të jetë një mungesë e madhe për të gjitha ata që e kanë njohur dhe që kanë konsideratat të larta për atë dhe familjen e tij.

Njoftimi i Policise diten e aksidentit:

Seksioni i hetimit të ngjarjeve në qarkullimin dhe AIS Më datë  23.07.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për shtetasin E.M, vjeç 35, me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pasi dyshohet se  në aksin rrugor Gjirokastër– Valare, duke drejtuar mjetin tip “Audi” ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga, ku si pasojë është dëmtuar dhe është dërguar në spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë, si dhe ka mbetur i dëmtuar shtetasi E.N vjeç 38, banues në Gjirokastër, pasagjer i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Neni 290 i Kodit Penal.

Nga sot Ervini do tu mungojë të gjithëve. Kush ishte talenti i Policisë së Shtetit që 'luftoi' me vdekjen për 5 ditë?