Tritan Shehu kërkon koalicion PD-LSI

Pas prishjes së koalicionit me Partinë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon të rinisë një bashkëpunim të ri me Partinë Demokratike. LSI po përpiqet të gjejë mbështetjen e PD, për të bërë opozitë të fortë kundër qeverisë së re ‘Rama 2’ në muajin shtator.

Thirrjet e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, kanë qenë të vazhdueshme në drejtim të kreut të PD, Lulzim Basha, për të bërë një koalicion opozitar, por nuk ka patur asnjë përgjigje nga kryedemokrati. Por, çfarë mendojnë vetë demokratët për bashkëpunimin me LSI në opozitë?

Deputetët e PD, të pyetur nga gazeta “Sot”, janë të përçarë në qëndrimet e tyre sa i takon bërjes së koalicionit opozitar me LSI.

Deputeti i Gjirokastrës,  Tritan Shehu thekson se PD është e gatshme të bashkëpunojë me LSI, për ta çuar vendin drejt një demokracie të konsoliduar.

Partia Demokratike është strumbullari i opozitës shqiptare, është forca më demokratike në vend, është forca e vetme politike që mund të jetë realisht lidershipi i opozitës shqiptare. Por në këtë proces ne si parti jemi të hapur të bashkëpunojmë me gjithsekënd, me çdo forcë politike e cila është e gatshme, dëshiron dhe është e vendosur të zhvillojë një luftë opozitare për të krijuar sa më shpejt hapësirat demokratike dhe duke i rikthyer demokracinë e munguar Shqipërisë”, tha ai për gazetën.