Universiteti “Eqrem Çabej”, rrezikojnë të mbyllen pesë degë

Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër edhe këtë vit akademik rrezikon mbylljen e pesë degëve të studimit. Realiteti  i regjistrimeve për fazën e parë rezulton zhgënjyes pasi deri tani shënohen vetëm 200 studentë të regjistruar.

Faza  e parë e regjistrimit të studentëve e gjen këtë universitet me 540 vende bosh, nga 740 kuota të vendosura nga MASH për këtë universitet.

Kuotat e vendosura nga MASH për degët që ofron ky universitet duket se janë tërësisht jashtë realitetit dhe të parealizueshme. Numer tepër të ulët regjistrimesh kanë degët matematikë – fizikë, gjuhë greke, gjuhë italiane të cilat ende nuk e kanë kaluar pragun e 10 studentëve të regjistruar.

Edhe këtë vit numrin më të lartë të regjistrimeve e kanë degët e infermierisë së përgjithshme, ekonomik dhe mësuesi.

Studentët që përzgjedhin universitetin e Gjirokastrës vijnë kryesisht nga zonat përreth, por nuk mungojnë edhe ata nga qyteti i Fierit, Beratit apo Kukësit. Mbetet për t’u parë sa do të jetë numri i të regjistruarve në raundin e dytë të regjistrimeve.