Ura e Hoshtevës, flet ministrja Kumbaro: Restaurim gjatë këtij viti ashtu siç kam premtuar. Projektit po i jepet dora e fundit (FOTO)

Ura e Hoshtevës, një objekt monument kulture, por që kryen edhe funksion praktik pasi lidh fshatra të Zagorisë, ka nevojë për restaurim. Shqetësimin e kanë ngritur banorët e kësaj zone. Janë ankuar pranë Bashkisë Libohovë, si dhe në media. Libohova Online u interesua te ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro për këtë problem. Ajo thotë se ndërhyrja te ky monument do të kryhet brenda këtij viti sikundër ishte planifikuar, ndërsa këto ditë kanë ishin në terren edhe specialistë të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër për bërë vlerësimet përkatëse.

Më poshtë biseda me ministren Mirela Kumbaro dhe foto nga inspektimi i specialistëve të DRKK Gjirokastër.

Znj. Ministre, prej disa ditësh ka një shqetësim nga banorē e Zagorisë për Urën e Hoshtevës, e cila rrezikon të shembet duke qenë se është amortizuar ndër vite, por edhe u demtua më shumë nga përmbytjet e kohëve të fundit. A jeni ju në dijeni këtij problemi?

Natyrisht! Po le të jemi të saktë në informacionin që përcillet. Që në 2015 është përgatitur nga DRKK një projekt paraprak konsolidimi i cili është miratuar tashmë nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Nga raportet e monitorimeve teknike është konstatuar që ura nuk ka degradim siç thoni ju, por si të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore mbart gjurmët e amortizimit të shekujve dhe të dekadave.

Nga krahasimi i raporteve konstatuese, gjendja e urës është e njëjtë.

Po kështu ju konfirmoj se, pas inspektimeve të fundit në dhjetor, pas përmbytjeve, dhe në ditët e para të janarit të inxhinierëve të DRKK (edhe me bashkëpunimin vullnetmirë të inxhiner Agron Doracit, një nga mjeshtrat e Monumenteve të Gjirokastër), përmbytjet e fundit nuk kanë shkaktuar dëmtim të posaçëm dhe nuk rrezikohet shëmbja e urës.

Ura e Hoshtevës është një ndër objektet që ne e kemi në monitorim që nga viti 2014. Kjo do të thotë që specialistët tanë, në përputhje me detyrat e Drejtorisë Rajonale të Kulturës në Gjirokastër  mbajnë në mbikqyrje të rregullt objektet që kanë në inventar dhe raportojnë rregullisht për çdo problematikë.

Ndërkohë arkitektët e DRKK dhe të IMK përgatisin projekte mirëmbajtjeje për ato objekte që kanë nevojë për ndërhyrje konsolidimi apo restaurimi, të cilat vihen në zbatim në përputhje me shkallën e emergjencës dhe të planit financiar të Ministrisë.

Si ministre e linjes dhe deputete e zonës, logjike është të keni një vëmendje më të madhe për këtë problem. Keni një projekt konkret për ta shpëtuar këtë monument?

Unë e kam deklaruar tashmë disa muaj më parë, që ndërhyrja konsoliduese në urën e Hoshtevës është në radhën e planeve të vitit 2018.

Pa dyshim që e kam në vëmendje! Siç kam në vëmendje edhe shumë objekte të tjera në të gjithë Shqipërinë, sepse kjo është detyrë e Ministrisë së Kulturës. Por kjo bëhet me planifikim dhe jo me improvizime. Ministria në planet e veta të ndërhryjes dhe të investimeve vepron me radhë prioritetesh dhe jo sipas zhurmës së ditës.

Me këtë strategji u ndërhy në 2017 në kishën e Bënjës, dhe në atë të Kosinës në Përmet, në kishën e Sopikut në Pogon. Dhe po kështu realizuam ndërhyrjen shumë profesionale e të vështirë në kishën e Labovës e cila ishte po ashtu një nevojë absolute, ose në 4 kishat e Voskopojës, në Qendrat historike të Dhërmiut e Vunoit, e me radhë.

Edhe si deputete unë e kam konfirmuar këtë projekt të qeverisë për ta realizuar në vitin 2018. Në këtë moment po punohet për përditësimin e plotësimin e projektit ekzistues dhe do të futet në zbatim sapo të miratohet versioni përfundimtar, por edhe të stabilizohet moti për të punuar në kushtet të cilat favorizojnë ndërhyrjen në sit.

Ka raportime në media se Ministria e Kulturës nuk ka lëvizur fare për këtë problem. Si është e vërteta? A janë specialistët e IMK në terren për të vlerësuar problemin?

Kam shumë respekt për mediat profesionale dhe nuk do të doja të komentoja zhurmat që s’marrin mundimin të pyesin Ministrinë e Kulturës apo Institutin e Monumenteve të Kulturës për të kuptuar më shumë. Iu përgjigja më lart mënyrës se si ne punojmë. Më tej ju ftoj të shihni fotot e dosjes së  monitorimit të Urës së Hoshtevës, të bëra së fundmi nga specialistët tanë në një terren ku nuk shkohet me makinë, por me këmbë e me mushka.

Veç Urës së Hoshtevës, gjatë fushatës elektorale ju keni premtuar edhe për restaurim të Kishës së Peshkëpisë. Si po ecin punimet për këtë monument?

Kisha e Peshkëpisë është po ashtu një objekt që prej dekadash nuk ka njohur ndërhyrje dhe që ka nevojë për konsolidim. Edhe ai është një objekt i vështirë që ne e mbajmë rregullisht në monitorim. Kemi bërë gati projektin dhe e kemi futur në planet e investimit.

Por duhet të kuptoni që me gjendjen shumë të rëndë të trashëguar në inventarin e monumenteve të kulturës në të gjithë Shqipërinë, është e pamundur që investimet e munguara në 30 vjet t’i realizojmë të gjitha në 4 vjet.

Qarku i Gjirokastrës është nga më të pasurit në monumente por edhe po aq me problematika të vështira të akumuluara në dekada. Buxheti i shtetit nuk mund të mbulojë të gjitha kostot e restaurimeve në një kohë të shkurtër, aq më shumë që një pjesë e madhe e tyre kanë pronësi private.

Kjo është arsyeja pse Ministria e Kulturës punon me projekte partneriteti ku Gjirokastra,  së bashku me të tjera Qendra historike si Korça Berati, Kruja, është pjesë e programeve prioritare.

I tillë është bashkëfinancimi i restaurimeve në Qafën e Pazarit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për zhvillim. I tillë është programi me Bankën Botërore për pjesën tjetër të Qendrës Historike, por edhe për Beratin, Sarandën dhe Përmetin, projektet i të cilëve janë tashmë në proces tenderimi. I tillë është edhe bashkëpunimi me Agjencinë turke TIKA me të cilën po zhvillojmë disa projekte restaurimi në Gjirokastër, Shkodër, Berat e Tiranë, që shumë shpejt do t’ bëjmë publike.

Me këtë listë të gjatë objektesh që kanë nevojë për ndërhyrje dhe shumë  problematika, cila është perspektiva që ju shihni, zonja Ministre, për mirëmbajtjen dhe shpëtimin e pasurive kulturore në një zonë kaq të rëndësishme si Gjirokastra?

Problematikat nuk janë vetëm në GJirokastër, por edhe në Berat, edhe në Durrës, edhe në Shkodër edhe në Korçë, edhe në Lezhë, e kështu me radhë. Për fat të mirë kemi shumë pasuri kulturore, por për fat të keq nuk kemi pasur strategji dhe mirëmbajtje të rregullt të tyre, çka bën që sot vuajmë pasojat dhe ndërhyrjet kërkohen të menjëhershme kudo.

Edhe vëndet më të pasura dhe të konsoliduara në politikat e mirëmbajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore, si Franca, Italia apo Gjermania, shteti nuk i mbulon dot me buxhetet publike, por nxit forma bashkëpunimi dhe partneriteti, modele të cilat i kemi studjuar me kujdes.

Ministria e Kulturës ka përgatitur dhe ka dërguar tashmë në parlament një projektligj të ri për Trashëgiminë Kulturore ku parashikojmë rregullat dhe modele menaxhimi të cilat krijojnë kushte të reja për ruajte, mbrojtje, vlerësim dhe adminsitrim të trashëgimisë kulturore, që përfshijnë jo vetëm pushtetin qendror siç ka qenë deri tani, por i jep role të posaçme pushtetit vendor, shoqërisë civile, bashkësive fetare, pronarëve të pasurive kulturore, subjekteve private dhe biznesit.

Trashëgimia kulturore është pasuri kolektive, e trashëgojmë të gjithë, e gezojmë të gjithë, të gjithë kemi detyrë ta mbrojmë, ta zhvillojmë dhe ta investojmë. Ky projektligj krijon mundësinë e një strategjie të tillë.

© Libohova Online