Veshjet tradicionale dropullite, tradita që ruhet edhe sot (VIDEO)

kostumet-dropulliteZona e Dropullit në Gjirokastër është e njohur për pasurinë dhe trashëgimin e traditave të tyre në breza. Trashëgimia shpirtërore e kësaj zone përcillet tek të rinjtë të cilët njohin mirë këngët e vallet popullore të cilat përherë shoqërohen nga veshjet tradicionale. Kostumi i nuses dropullite është edhe një ndër kostumet më të bukur.

Kjo veshje tradicionale e zonës së Dropullit të Poshtëm vazhdon edhe sot të përgatitet në të gjitha proceset e saj prej prerjes, vizatimit dhe qëndisjes në mënyrë krejtësisht artizanale në Dervician. Kaliroi Diamanti është një prej atyre grave të pakta në këtë zonë që stilon dhe qëndis me kujdes kostumin tradicional të nuses së Dervicianit. Ajo pohon se kërkesat janë të shumta, por me kalimin e kohës tendenca po shkon drejt ndryshimit të kostumit tipik tradicional dhe pasurimin e tij me elementë që dikur nuk kanë qenë të pranishëm.

Kaliroi kërkon ruajtjen dhe konservimin e traditës dhe formës së kostumit original dropullit pa ndërhyrje të tepërta, që rrezikojnë humbjen e origjinalitetit.

Me një larmi të pasur kostumesh e traditash, banorët e Dropullit përpiqen ta përcjellin këtë pasuri të trashëgimisë shpirtërore brez pas brezi edhe pse imitimet e kostumeve të tyre popullore po devijojnë nga ato origjinale duke u pasuruar me elementë të reja. Kostumi i nuses dropullite dhe në veçanti ai i Dervicinait është një ndër kostumet më të bukura në fondin e etnografisë shqiptare dhe diversitetit kulturor./Brikena Metaj, News 24