VIDEO/ “Shtëpia e oficerave” në Gjirokastër, mes harresës dhe ujërave të zeza

shtepia e oficeraveNga Brikena Metaj

Dikur ka qenë një ndër godinat më të bukura dhe më funksionalet në Gjirokastër. Por pas ndërrimit të sistemeve,ashtu si edhe në pjesën më të madhe të qyteteve shqiptare, edhe në Gjirokastër, ajo që dhe sot njihet si “Shtëpia e oficerave”, u kthye gradualisht në një ndërtesë të lënë krejtësisht në harresë e përditë e më shumë drejt amortizimit. Të vetmit që vazhdojnë të frekuentojnë atë rregullisht janë ishushtarakët, të cilët shprehin keqardhjen për gjendjen në të cilën ndodhet sot kjo godinë.

Ndërtesa që prej vitesh është marrë në pronësi nga Ministria e Arsimit, është kthyer sot në banjë publike, e pushtuar nga ujërat e zeza. Sipas pensionistëve që frekuentojnë të vetmin vend ku sot në Gjirokastër ata mund të kalojnë kohën, lënia e saj në këtë gjendje është e turpshme. Sotira Goçi, kancelare në Univeristetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, pohon se në vitin 2013 është bërë një projekt I plotë I restaurimit dhe funksionalizimit të kësaj godine, por fondi për zbatimin e këtij projekti ende nuk është çelur. Sipas Goçit, funksionalizimi I “shtëpisë së oficerave” është I domosdoshëm jo vetëm për universitetin e Gjirokastrës, por edhe për vetë qytetin.

E ndodhur në qendër të lagjes më të populluar në Gjirokastër, godina mbi 50vjeçare e “Shtëpisë së oficerave” vuan amortizimin e vazhdueshëm edhe pse prej kohësh është folur për restaurimin e saj dhe vendosjen aty të fakultetit të ekonomisë. Projekti mban shifrën e 2.5 milion euro, ndërsa godina ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Arsimit prej vitit 2011. E ndërsa duket se qeveria shqiptare po I kushton vëmendje investimeve në pjesën muzeale të qytetit të gurtë, zona e poshtme e qytetit të Gjirokastrës, aty ku zhvillohet edhe jeta sociale e këtij qyteti, është krejtësisht e lënë pas dore./Bw/