VIDEO/ Shtëpia muze e Avni Rustemit rrezikon të shembet, Kumbaro në maj kërkoi të ndërhyhej

12278877_1047694575261405_6128991804703953863_n“Shtëpia muze e Avni Rustemit bashkëjeton me shkatërrimin, ndërsa Libohova historike s’ka muze. Urgjencë për ndryshim”. Kështu shprehej ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro në maj të këtij viti. Kanë kaluar 6 muaj që atëherë, por në shtëpinë muze të heroit asgjë nuk ka ndryshuar.

Duket se përtej premtimeve, rrënimi e harresa janë ulur këmbëkryq në këtë banesë, muret e tavanet e së cilës janë shembur prej kohësh. Asgjë brenda saj nuk ngjason sadopak me atë që duhet të jetë një muze. Panorama që të shfaqet sapo kapërcen pragun e portës përherë të hapur të kësaj banese dykatëshe, dikur një nga më të bukurat në Libohovë, është trishtuese. Portretet e familjarëve të hedhura përtokë, çatia gjysmë e rrëzuar, dyer e dritare të thyera, mbeturina të hedhura kudo dhe gjurmët e banesës që po i mbijeton dhimbshëm harresës janë të vetmit mikpritës.

Nga ana tjetër kryebashkiakja e Libohovës Luiza Mandi pranon gjendjen në të cilën ndodhet sot shtëpia dikur muze e Avni Rustemit.

Ajo shpreson që ministrja Kumbaro do mbajë premtimin që ka dhënë për restaurimin e kësaj shtëpia ndërsa e cilëson si një hap të parë në këtë drejtim shpalljen e saj monument kulture.

E ndërsa duhet pritur që institucionet përkatëse të lëvrojnë fondet, shtëpia e Avni Rustemit, përveçse e braktisur ndër vite, rrezikon të shembet./BW