Vrasja e policit në Lazarat, familjarët e të dënuarve protestojnë kundër vendimit të Gjykatës (FOTO)

Familjarë të të dënuarve për ngjarjen e 24 qershorit 2015 në Lazarat ku efektivi Ibrahim Basha humbi jetën, kanë protestuar sot në qendër të fshatit duke kërkuar drejtësi. Ata ngrenë pretendimet se fëmijët e tyre janë të pafajshëm dhe të dënuar pa prova. Me pankarta në duar të tilla si “drejtësi të pavarur dhe jo të ndikuar politikisht”, “Mos u prisni ësndrrat djemve” apo “drejtësia harron, po nuk vonon” nënat e djemve të dënuar me lot në sy kanë rrëfyer kalvarin e vuajtjeve të tyre në dyert e burgut dhe gjykatave, ndërsa kanë kërkuar ndihmën e presidentit dhe shtetit për vënien e drejtësisë.

“Nëse djali im është i fajshëm, le të dënohet, nuk e dua më për djalë” tregon mes lotëve nëna e Oltion Prokos që për pak ditë do të festojë ditëlindjen e tij të 20-të brenda mureve të burgut 313.

Në mars të këtij viti, Gjykata e Krimeve të Rënda dha dënimin për vrasësist e efektivit Basha. Nga 11 të akuzuar për të ashtuquajturën dosja “Lazarati II”, pesë persona u akuzuan për vrasjen e punonjësit të policisë, ndërsa të tjerët për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi. Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, atë kohë rezultoi se një grup të rinjsh, nën drejtimin e vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, kanë planifikuar, organizuar dhe goditur forcat e policisë, të cilat gjendeshin në patrullim në zonën e Lazaratit, në datat 23-24 qershor 2015.

Efektivi Ibrahim Basha mbeti i vrarë në Lazarat, gjatë aksionit për të kapur grupin kriminal që kishte nisur pas mesnate të shtënat ndaj policisë lokale në Lazarat, ndërsa dy kolegë të tij, Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj, mbetën të plagosur.