Xhamia e Libohovës është ndërtuar pa leje, nuk është aplikuar as për legalizim

Masakra urbane që është bërë në Shqipëri pas viteve ’90 me ndërtime pa leje është ndoshta një nga dëmet më të mëdha që nuk mund të zhbëhet më. Por çuditërisht pa leje nuk janë ndërtuar vetëm shtëpi, biznese, hotele, motele, garazhde apo magazina, por edhe objekte kulti.

Ndonëse është paradoksale të mendosh se si mund të ndërtohen pa leje objekte të tilla që cilësohen si “Shtëpi të Zotit” dhe më pas të futen në proces legalizimi si objekte çfarëdo. Kryeministri Rama ka nisur së fundi të shpërndajë leje legalizimi pranë priftërinjve e hoxhallarëve, për kisha e xhami të ndërtuara pa leje. Kështu bëri javën e shkuar në Gjirokastër, ku i dorëzoi lejen e legalizmit për kishën e re “Ngjallja e Krishtit”.

Ndërkohë në Libohovë rezulton të jetë ndërtuar pa leje edhe xhamia që u inagurua në 18 prill të vitit 2014. Libohova Online mëson se punimet për ndërtimin e kësaj xhamie kanë nisur pa leje nga Bashkia Libohovë dhe madje sot ky objekt nuk është futur as në proces legalizimi. Burime nga Myftinia Gjirokastër bëjnë me dije se këto ditë do të aplikohet për legalizimin e xhamisë së Libohovës. Por sidoqoftë objekti është ngritur mbi një truall që është pronë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Punimet për ndërtimin e xhamisë së Libohovës nisën në pranverë të vitit 2013, pak përpara zgjedhjeve parlamentare. Inagurimi i objektit u bë një vit më vonë. Të pranishëm në ceremoninë e mbajtur me atë rast ishin nënkryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu, drejtori i Burimeve Njerëzore, Dorian Demetja, kreu i fondacionit “Mirësia”, Korab Kaja si dhe të tjerë të ftuar.

Zyrtarisht nga Bashkia Libohovë ishte i pranishëm vetëm Sekretari i Përgjithshëm, Besnik Ismailati. Xhamia e Libohovës është një investim i fondacionit “Bejtuz Zekat” nga Kuvajti, ndërkohë që fondacioni “Mirësia” mori përsipër ndërtimin e projektit. Xhamia e re u ngrit mbi rrënojat e një xhamie më të vjetër. Pak muaj pas inagurimit të kësaj xhamie një tjetër nisi të ndërtohej në lagjen “Krakull”. Në Libohovë shumica e besimtarëve janë bektashinj, të krishterë ortodoksë dhe një pjesë më e vogël myslimanë sunit.

/Libohova Online/

Image may contain: 5 people

Image may contain: 8 people

No automatic alt text available.

Image may contain: 1 person

Image may contain: 8 people