Zagori, thesaret e panjohura të arkeologjisë në fushëgropën e Çajupit

Nga Spiro Nika*

Në kuadër të studimeve doktorale (Harta arkeologjike e luginave Zagori e Pogon), së bashku me udhëheqësit shkencor Prof. Luan Përzhita dhe shefi i Departamentit të Prehis­torisë, Prof. Ilir Gjipali, zhvilluam ekspedita përnjohëse, ku dhanë rezultate të shpejta për parahistorinë e hershme në territorin e Shqipërinë jugperëndimore. Që në ekspeditën e parë e cila u zhvillua në periudhën 17-19 tetor 2011 ,u identifikuan dy pika të reja me vlera rajonale studimore.

E para ndodhet në pjesën jugperëndimore të rrafshit të Fushës së Çajupit, në rrëzë të malit të Bucelthit – faqja e Shul­lërit, pranë Qafës së Shën e Premtes dhe e dyta në Dërmaz në ekstremin jugor të arës së Gjatë. Nga ana e z. Rudenc Ruka (arkeolog i prehistorisë në Institutin e Arkeologjisë, Tiranë) u zhvilluan disa seanca vëzhguese të mëvonshme ku sigururoi lëndë arkeologjike me siguri të lartë identifikuese. (Përshkrim fizik i terrenit………)

Vendgjetja e Fushës së Çajupit, e cila është e vendosur në anën që rrihet më shumë nga dielli dhe për rrjedhojë dhe më të ngrohtë të fushës u identifikua si pasoj e ekspozimit nga hapja e një lere për bagëtitë. Punimet e kryera kohë me parë duhet të kenë prekur shtresa arkeologjike në përbërjen e të cilave ka prani të qenësishme të mbetjeve dhe veglave prej stralli. Materiali i grumbulluar deri më sot si pasoj e një numri vizitash dhe nga studimet në kuadër të doktoraturës të autorit kanë përcaktuar tre komponent kryesor:

1- paleoliti i mesëm,

2- një komponent i fundit të pleistocenit – fillimi i holocenit, si dhe

3- me shumë mundësi një komponent i përbërë nga mbetje të punës për prodhimin e stralleve të armëve të zjarrit gjatë shekullit të 18 dhe 19-të.

Vendgjetje e Pirolitëve

Duke marrë në konsideratë çdo komponent, për sa i përket të parit ai është i përfaqësuar nga disa gjetje të lidhura me proceset e punës për përgatitjen e vegla me anë të metodës Levalua (Levallois). Pikërisht të kësaj metode e cila konsidero­het si tipike e paleolitit të mesëm janë një bërthamë, disa ashkla për përgatitjen e faqes së sipërme të bërthamës si dhe një vegël e retushuar e prodhuar në një ashkël Levalua. Për t’u theksuar është se këto vegla në këtë pjesë të Euroazisë janë përdorur nga një specie njerëzore e ndryshme nga ne, nga Neandertalët (Homo neanderthalensis). Bërthama ka patinë të trashë çka mund të përbëjë një tregues relativ për vjetërsinë e saj në krahasim me strallet e komponentëve të mëvonshëm, kurse ashklat dhe vegla janë hequr me anë të goditjes së drejtpërdrejt me çekiç të fortë.

Për sa i përket datimit të kësaj vendgjetje duhet thënë se paleoliti i mesëm datohet përgjithësisht midis 250.000-40.000 vjet më parë. Por duke pasur parasysh lartësinë e Fushës së Çajupit rreth 1200 mbi nivelin e detit datimi i saj më i ngushtë duhet lidhur kryesisht me një periudhë me kushte klimaterike të përshtatshme për njerëzit. Kështu në mungesë të një studimi më të hollësishëm të vendgjetjes për sa i përket datimit, si periudhë më e mundshme e përdorimit të kësaj vendndodhje është ndërakullnajimi i fundit ose gjatë Emianit (Eemian) rreth 130.000-114.000 vjet më parë.

Komponenti i dytë paraqitet nga një numër i vogël gjetjesh nga të cilat është për tu veçuar një bërthamë për nxjerrjen e teheve dhe tehëzave. Prodhimi i teheve është i lidhur kryesisht me paleolitin e sipërm e deri në ep­okën e bronzit. Por natyra e kësaj bërthame ku vragat nga heqjet e mëhershme si dhe presat nuk janë paralele të rregullta, bëjnë të mundshëm përjashtimin e datimit në me­solitin e vonë, neolit dhe bronz. Më tej, nëse kihet parasysh klima e ftohtë gjatë Orinjakut dhe Gravetianit të paleolitit të sipërm është më e mundshme që kjo bërthamë ti përkas periudhës pas përfundimit akullnajimit të fundit maksimal ose pas 26.500-19.000 vjet më parë e deri në mijëvjeçarin e 10-të më parë.

Edhe pse datimi i deri tanishëm ngelet paraprak për këta dy komponentë, Fusha e Çajupit përbën një rast të veçantë në Shqipëri për sa i përket përdorimit të lartësive të mëdha në periudha më të hershme. Analogji mund të gjenden me zonën e Pindosit në Greqi apo edhe me rastin e Kamenicës në pellgun e Korçës. Përdorimi i peizazheve të larta në vende të ndryshme është parë si një veprimtari e specieve njerëzore në ndjekje të tufave shtegtare të kafshëve të egra me qëllim gjuajtjen e tyre. Livadhet e Zagorisë janë një dëshmi e qartë edhe në ditët e sotme për mundësitë që ofrojnë si kullota sezonale verore.

Tradita vazhdon…
Komponenti i tretë ose ai i mbetjeve të prodhimit të armëve të zjarrit përfaqësohet kryesisht nga ashkla me thyerje të freskëta të hequra nga përdorimi i çekiçit metalik. Kjo vihet re më së shumti në sheshin e goditjes ose thembrën e dërrmuar të ashklave. Kjo shenjë e dukshme e këtij aktiviteti artizanal të vonë është e gjallë ende sot në kujtimet e banorëve të fshatit Lliar. Për më tepër si dëshmi historike na vjen në ndi­hmë dhe një dokument i arkivit të Ali Pashë Tepelenës i botuar së fundmi në Athinë. Në këtë shkresë të Tahir Abazit nga Tepelena, në funksionin e shefit të policisë së Janinës, i drejtohet Lekë Topovës, i cili dorëzon dhe numëron bashkë me Mitro Labovitin, në cilësinë e magazinierit të magazinës së Jani­nës, 11.000 stralle pushkësh. Ky dokument shumë i vlefshëm i datës 27 prill 1808 është më i vjetri i njohur deri më tani për këtë zej në Shqipëri. Ai mund të konsiderohet fare mirë si një pagesë taksash me prodhime tipike të zonës së Zagorisë.

Vendndodhja e dytë ose ajo e Dërmazit përbëhet nga një numër gjetjesh me patinë të trash por pa shenja diagnostike të qarta në mënyrë që të mund të japim konsiderata hronologjike në lidhje me datimin. Sidoqoftë ato duken të jenë të një natyre të vjetër mundësisht të paleolitit.

Në përfundim është për t’u vënë re potenciali i madh arkeologjikë i parahistorisë së hershme të Zagorisë si pjesë e ciklit vjetor bregdet-kullota malore si pjesë e gjuetisë së kafshëve të egra shtegëtuese siç mund të jetë dreri.

Prania e dukshme e lëndës së parë për prodhimin e veglave prej stralli si dhe prania aktive e karstit në masivët gëlqerorë përbënë një premisë për zbulimin e vendgjetjeve të reja në këtë zonë. Për më tepër stralli duket të ketë qenë një bashkëshoqërues i historisë së Zagorisë deri në fund të periudhës ottoman.

Fusha në gropën Karstike të Çajupit

Duke parë se sa të varfëra janë vitrinat e kësaj periudhe historike në pavjonin e Lashtësisë të Muzeut Historik Kombëtar sugjerojmë që një koleksion i këtyre gjetjeve, të zenë vendin e duhur në këtë institucion të trashëgimisë kombëtare.

Shënim : Falënderoj z Rudenc Ruka (arkeolog i prehistorisë) për ndihmesën e dhënë në interpretimin e koleksionit të gjetjeve nga zona në studim.

Rrugëkalimet strategjike dhe kontrolli i tyre(Karakolli ose Taborri i Çajupit)
Karakollet-ndërtime mbrojtëse gjatë rrugëve në shek.XV-XIX. Karakollet-kulla që ruanin rrugët, ishin ndërtime që siguronin qarkullimin normal të karvaneve tregtare dhe të banorëve nga kranina në krahinë gjatë periudhës së sundimit otoman. Veç banorëve vendas (dervenxhijëve) që kishi për detyrë të ruanin dhe siguronin jetën dhe pasurinë e karvaneve në zonat e tyre, pushteti qendror osman për ruajtjen e rrugëve kishte rojet e tij të armatosura si: rojet rrugore (martallozët), sejmenët ose bekshijtë (jeniçerë të rregullt me armë), roje ushtarake me armë zjarri (arkobuzjerët) si dhe pandurët (roja ushtarake fushore). Pikërisht këto roje qëndronin në karakollet rrugore.

Karakolli në qafën e Çajupit, ndërtim unikal në tipologjinë e tij

Veçanti nga e përgjithshmja përbën karakolli i Çajupit ose siç e quajnë vendasit “Taborri i Minanje” (Sipas rrëfimit të z. Sotir Mino, objekti u ndërtua në troje të familjes së tyre, bile dha kontribut dhe Aleks Mino, gjyshi i tij). Tabori ndodhet në një lartësi 1286 m. mbi nivelin e detit. Ky objekt unikal në tipologjinë e tij u shpall “monument kulture” i kategorisë së I, me Vendimin nr. 8 dt. 18. 12. 1987 nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve.

Prof Valter Shtylla, ishte i pari studiues që e vizitoi dhe realizoi rilevimet e duhura të cilat shërbyen si argument për shpalljen m. k. Prej tij janë hapur dhe dosdosjet arkivore në Institutin e Monumenteve të Kulturës për shumë monumente në krahinat Zagori,Pogon, Lunxhëri, Dropull e gjetkë. Për kontributin e tij i jemi mirënjohës.

Rruga e karvanëve sipas itinerarit: Gjirokastër – Hani i Valaresë –Çajup – qafa e Dhëmbelit – Përmet e më tej, lindën domosdoshmërinë e ruajtjes dhe mbarëvajtjes së udhëtimit duke ndërtuar këtë karakoll. Si zgjidhje arkitekturore, ky objekt është i veçantë nga gjithë të tjerët. Vollumi i tij me planimetri rrethore dhe me lartësinë e një kati, të krijon idenë e një tyrbeje. Mbulesa është me kupolë sferike, me rrasa guri të trasha në rolin e tjegullave. Të dhënat metrike të monumentit: Diametri i brendshëm më nivelin e dyshemesë është 3,2m. lartësia nga dyshemeja në kyçin e kupolës 3,25m. trashësia e mureve 1,28 m. dhe përmasat e hyrjes 137×80 cm.

(Ky objekt ka përjetuar në vitet ‘30 një ngjarje tragjike me pesë viktima. Banda e kusarëve nga Labëria masakroi gratë zagorite që korrnin barin e fushës, ku e vetmja që shpëtoi ishte Konstandina Shaka.)

Sipas studimit urbanistik të komunës Fusha e Çajupit me rrethinat e saj merr një vlerësim të ri. Ky monument dhe të dhënat e reja për ekzistencën e nje siti arkeologjik (stacion prehistorik) në hapësirën Hotel i Garulit – Kondisma e Shën e Premtes duhet të merren në mbrojtje të veçantë nga institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore pasi t’u kemi dërguar rezultatet e përfituara nga studimet e kryera.

Referenca:
Efstratiou, N., Biagi, P., Elefanti, P. and Spataro, M. 2003. Proistorikes erevnes stin Pindo. I oreini periodi ton Grevenon. Ta prota apotelesmata. To Archeologiko Ergo sti Makedonia ke Thraki, 17:581–91.

Efstratiou, N., Biagi, P., Elefanti, P. and Ntinou, M. 2004. Proistorikes anaskafikes erevnes stin periohi tis Samarina, stin Pindo tou N. Grevenon. To Archeologiko Ergo sti Makedonia ke Thraki,

EFSTRATIOU, N., P. BIAGI, P. ELEFANTI, P. & M. NTINOU. 2004. Prehistoric research in the area of Samarina in the Pindus, Grevena. To Archeologiko ergo sti Makedonia kai sti Thraki 18: 623–30 (in Greek).
Shylla Valter.
*Arkeolog-Restaurator