Zagoria shpalos vlerat dhe traditën, për herë të parë një panair në Çajup (FOTO)

Në Çajup është organizuar panairi “Jeto Natyrën” nga Bashkia Libohovë dhe Shoqata Zagoria. Prodhues vendas dhe të zonës përreth ekspozuan produktet e tyre. Nuk mungoi gjithashtu as muzike polifonike. Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi, teksa publikon disa foto nga ky aktivitet, shkruan:

“Sot në Çajup për panairin “Jeto Natyrën”, një organizim i Bashkisë Libohovë dhe Shoqatës Zagoria. Nuk është e rastësishme që e quajtëm kështu pikërisht sepse jemi në një vend me natyrë të mrekullueshme. Kjo natyrë që frymëzoi kaq shumë poetin tonë të madh Andon Zako Çajupi, për të shkruar vargje e vepra me vlerë të jashtëzakonshme. Panairi që organizuam në këtë fushë të mrekullueshme është një vlerë e shtuar krahas gjithë aktiviteteve të tjera që ne kemi bërë kohë pas kohe për të promovuar më tepër pasuritë natyrore dhe kulturore të shumta që kemi. Panairi nuk është vetëm një mundësi promovimi dhe argëtimi, por edhe një hapësirë fantastike për të krijuar kontakte të domosdoshme se si të zhvilloni më tej produktet tuaja, të mësoni nga eksperienca e të tjerëve dhe të ndani së bashku histori suksesi. Ky organzim është gjithashtu një mundësi shumë e mirë që rikthen në vendlindje qoftë edhe për një ditë, zagoritë që nuk banojnë këtu, por kanë lidhje të vecanta shpirtërore me fshatrat e tyre. Jam e bindur se ata që ishin sot në Çajup mbetën të kënaqur dhe u larguan me një shije shumë të mirë të Zagorisë së traditës, vlerave dhe bukurive të jashtëzakonshme natyrore”, shprehet Mandi.