Zbardhet dëshmia që fundosi lazaratasit në qershor të 2014

_75630699_apRrëfimi i një dëshmitari të mbrojtur, banor i fshatit rebel, ka qenë “asi nën mëngë” i Prokurorisë për Krimet e Rënda për të provuar akuzat e ngritura ndaj 10 të pandehurve të dosjes “Lazarati 1”.

Fakti i mbajtur në sekret, del në dritë në vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Trupi gjykues i është referuar kësaj dëshmie si një nga provat më kryesore të Akuzës. Dëshmitari, i futur në programin e bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, me identitet të ndryshuar, me iniciale B. H., ka rrëfyer para prokurorëve lëvizjet dhe pozicionet e personave të armatosur në qershor 2014 në Lazarat, që i bënë rezistencë policisë në operacionin e saj antikanabis.

Në dëshminë e tij, e siguruar e plotë nga gazeta “Panorama”, përveç disa prej të pandehurve, bashkëpunëtori i Drejtësisë ka identifikuar si pjesë të rebelëve edhe dhjetëra persona të tjerë, që nuk figurojnë të jenë vendosur në përgjegjësi penale më vonë. Në vijim zbardhet dëshmia e plotë e dëshmitarit të mbrojtur.

DESHMIA

Jam paraqitur sot në Prokurori me vullnetin tim për të deklaruar aq sa unë di lidhur me ngjarjet e ndodhura në fshatin Lazarat gjatë muajit qershor të vitit 2014. Unë jam banor i këtij fshati. Gjatë datave 14 – 17 qershor të vitit 2014, unë kam lëvizur në mënyrë të vazhdueshme brenda këtij fshati dhe kam parë, vënë re dhe marrë informacione se si disa banorë të këtij fshati kanë kundërshtuar me armë, duke qëlluar në drejtim të forcave të Policisë, kur forcat e policisë po tentonin të hynin në këtë fshat nga disa drejtime me qëllim marrjen e kontrollit dhe për sekuestrimin e kanabisit të kultivuar apo të magazinuar në banesat e banorëve. Si person që banoja në këtë fshat, kisha ardhur në dijeni se policia ishte organizuar për t’u futur në fshat dhe se në ndihmë të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Gjirokastër kishin ardhur forca të shumta policie për t’ mbështetur. Policia në ditët e para, me sa dijeni kisha unë, ishte e vendosur për rreth fshatit Lazarat dhe konkretisht: te lokali i Sh. Boci tek rrapi në lagjen Kordhoc; forcat RENEA ishin të vendosura mbi fshatin Derviçan, te vendi i quajtur Manastiri; mund të kishte dhe shërbime të tjera policore në terren, por vetëm këto ishin të pozicionuara në mënyrë të dukshme.

FRIKA PER KANABISIN

Në datën 15.06.2014, kam qenë në fshatin Lazarat dhe në mbrëmje, nuk më kujtohet ora e saktë, kam qenë në qendër të fshatit, në afërsi të shkollës fillore “Baba Rexhepi”. Kam dëgjuar banorët e fshatit që bisedonin dhe thoshin që policia ka rrethuar fshatin dhe do të ndërhyjë në fshat. Ndër të tjera, shprehnin shqetësimin se do të korrnin hashashin, do të kontrollonin banesat dhe do të fusnin njerëzit në burg. Nga qendra e fshatit njerëzit filluan të largoheshin me makina, ashtu edhe në këmbë. Vura re se filluan të qëllonin me armë në fshat nga vende të ndryshme, në mënyrë të pakontrolluar dhe të pavarur nga njëri­ tjetri. Unë u largova nga qendra e fshatit me automjetin tim në shtëpi. Gjatë lëvizjes sime nga qendra e fshatit për te shtëpia, vura re shtetasit Emiljano A. dhe M. Bocai, të cilët erdhën me një fuoristradë tip “Toyota”, ngjyrë gri, nga drejtimi i kryqëzimit të X. R. dhe u ndaluan. Në drejtim të mjetit ishte shtetasi Emiljano A. Emiljano me Matjasin zbritën nga automjeti tip “Toyota” dhe pasi morën në automjet dy automatikë kallashnikovë dhe çanta, u larguan në këmbë në drejtim të kapanonit të shtetasit R. M.

MUNICIONET DHE MITRALOZI

12.7 Unë vijova rrugën për te shtëpia dhe qëndrova në shtëpi për rreth 2 orë. Ndërkohë të shtënat me armë zjarri u shtuan shumë. Pas rreth 2 orësh, dola sërish nga shtëpia për të parë se çfarë po ndodhte, si dhe për të mbledhur informacion të vlefshëm. Kur dola nga shtëpia, për të mos rënë në sy, mora një automjet tjetër dhe lëviza me drejtim “shtëpi– ish­pularia fshatit – shtëpi”. Gjatë kësaj lëvizjeje vura re dy momente që dua t’i deklaroj. Te kryqëzimi i kalçetos konstatova shtetasit Albion A., Alban A. dhe Juxhin B., të cilët po lëviznin në këmbë. Ishin të ngarkuar dhe po transportonin nga një automatik kallashnikov krahaqafë, çanta me ngjyrë ushtarake, si ato që përdoren nga ushtria për të mbajtur municione, si dhe një mitraloz 12,7. Ata erdhën nga drejtimi i Xh. R. dhe po iknin në drejtimin e kapanonit të shtetasit R. M. Në vijim të lëvizjes sime, te kazinoja e shtetasit A. R., kam konstatuar rreth 20 metra nga hyrja në krah të djathtë e kazinosë, një grup rreth 15 – 20 persona, të cilët qëndronin aty, ishin të armatosur dhe qëllonin vazhdimisht në ajër. Nga këto persona arrita të njoh shtetasit A. R. dhe B. B. Më pas, kam vajtur në shtëpi dhe për atë nate nuk kam dalë më.

PLUMBAT DREJT POLICISE

Paraditen e ditës së nesërme, datë 16.06.2014, kam dalë nga shtëpia dhe në ambientet përreth kam konstatuar që po qëllohej nga shtëpia e shtetasit S. B., shtëpia e shtetasit T. L., shtëpia e shtetasit K. H., stallat e shtetasit A. S., si dhe nga qendra e fshatit ku është shkolla fillore “Baba Rexhepi”. Kam lëvizur në këmbë drejt qendrës së fshatit dhe kur kam arritur aty, kam konstatuar një grup prej rreth 20 – 25 vetash, të cilët ishin të pozicionuar dhe qëllonin në drejtim të fshatit Derviçan dhe shtëpisë së një fshatari, nga ku po vinin forcat e policisë që po ndërhynin në fshat. Shumica e personave që po qëllonin kishin fytyrën të mbuluar me kapuç, ndërsa disa prej tyre kishin vetëm kapele.

“KRYENGRITESIT”

Nga shtetasit, të cilët qëllonin në drejtim të forcave të Policisë dhe kishin kapele, arrita të njoh dhe të fiksoj shtetasit F. R., Q. R., Engliend A., F. S., S. R., V. B., B. S., E. B., F. S., A. J., K. H. dhe R. P. Më pas kam ikur sërish në shtëpi dhe nuk kam lëvizur më nga aty, pasi kisha frikë për jetën time dhe rreziku që të dëmtohesha ishte i madh. Ditën e nesërme, rreth kohës së drekës, jam larguar nga fshati me automjetin tim dhe kam ikur në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë kohës së qëndrimit tim në fshat, në ditët e ndërhyrjes të policisë, krahas sa thashë më sipër, që i kam parë unë personalisht, kam marrë dhe informacione nga bashkëfshatarët e mi dhe më konkretisht; Te kapanoni i shtetasit R. M. kanë qenë një grup personash që kanë hapur zjarr drejt Policisë dhe konkretisht shtetasit R. M., Xh. M., A. A., A. A., J. B., A. A., R. P., V. A., L. B., A. R., E. A. dhe E. B.”

TE KERKUARIT NGA DREJTESIA

Sipas informacioneve të marra nga burimet e mia në fshat, kanë marrë pjesë në rezistencën ndaj forcave të Policisë dhe persona të cilët nuk kanë qenë banorë të fshatit Lazarat, por ndodheshin aty për arsye se fshiheshin nga Drejtësia apo kishin ardhur për të organizuar trafiqe të ndryshme. Gjithashtu, sipas informacioneve të marra, paraditen e datës 16.06.2014, së bashku me shtetasit e identifikuar nga ana ime që qëllonin në drejtim të Policisë nga qendra e fshatit, kanë qenë me fytyrë të maskuar dhe shtetasit, A. B., J. K., V. A., E. M. etj. Ndërsa në afërsi të banesës së shtetasit S. B., sipas informacionit të marrë, kanë hapur zjarr ndaj policisë shtetasit F. G., B. A., U. T., etj. Nga informacionet e mbledhura në lidhje me lagjen “Gjokaj”, nga atje kanë hapur zjarr shtetasit (dëshmitari radhit gjashtë emra të tjerë). /Panorama