Zbardhet plani i ri/ Ushtria futet në aksion kundër kanabisit

Një grup ndërministror në përbërje të të cilit është edhe ushtria si dhe shërbimet inteligjente, do t’i shpallë luftë kanabisit në Shqipëri. Zv.Kryeministri Niko Peleshi prezantoi planin antikanabis të miratuar nga këshilli i Ministrave, duke dhënë detaje për mënyrën se si do të funksionojë. Sipas Peleshit, grupi që ta drejtojë vetë ai, do të ketë qëllim goditjen që në gjenezë të fenomenit.
Në strategji, parashikohen dënime mjaft të ashpra ndaj zyrtarëve që nuk do ta kenë nën kontroll territorin për të cilin janë përgjegjës, ndërsa plani do të shoqërohet edhe me vettingun e tyre.
Pas deklaratës së zv.kryeministrit, i shpejtë ishte reagimi i ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, i pari që ka propozuar përfshirjen e ushtrisë në luftën kundër kanabisit, gjë që shkaktoi edhe përplasje politike.
“E përshëndes Zv.kryeministrin që pranoi sugjerimin tim për futjen e ushtrisë në luftën antikanabis. Zoti Peleshi është i vetmi që dëgjon.”
Paketa e masave përfshin edhe ndërgjegjësimin publik, lehtësimin e barrës fiskale dhe mbështetjen sociale për individët dhe komunitetet nën risk.