Zgjedhjet në Universitetin “Eqrem Çabej”, Panajot Barka sulmon Koço Kokëdhimën

sdfdsghfjhgNë prag të mbajtjes së zgjedhjeve për drejtuesit e rinj të universiteteve shtetërore në vend, Panajot Barka, dretues i Departamentit të Gjuhës dhe Qytetërimit Grek në Universitetin “Eqrem Çabej”, ka botuar një shkrim, ku bën thirrje për “votë akademike dhe intelektuale” për universitetin e Gjirokastrës.

Sipas tij, “zgjedhjet në këtë Universitet nuk mund të konsiderohen si çështje e brendshme e tij, por e të gjithë komunitetit. Nga ana tjetër, shndërrimi i zgjedhjeve në universitet në çështje publike, do të çlirojë edhe energjitë e brendshme të stafit akademik, pjesë e të cilit është marrë peng i interesave dhe presioneve”, shkruan Barka.

Më tej në fund të shkrimit ai nuk le pa sulmuar edhe deputetin e Vlorës, Koço Kokëdhima, i cili është gjithashtu koordinatori i PS-së për rajonin e jugut. Ndonëse Barka nuk e përmend me emër Kokëdhimën, ai i referohet atij si “faktori politik që imiton Ali Pashën”, teksa shton se deputeti socialist është i interesuar për të forcuar filialin e Universitetit të Tiranës në Sarandë dhe për të mënjanuar Universitetin e Gjirokastrës. Sipas Barkës, Kokëdhima mbështet për rektor në Gjirokastër atë kandidat që e ndihmon në përmbushjen e këtij synimi.

“Një rrezik real i vjen universitetit të Gjirokastrës edhe nga faktori politik aq i përfolur se fundi për imitimin të Ali Pashës. Duket se ai ka gjetur një mënyrë origjinale për të mënjanuar konkurrencën e universitetit të Gjirokastrës në forcimin e filialit të tij të paligjshëm të universitetit të Tiranës në Sarandë. Ai synon të përkrah në universitetin e Gjirokastrës atë krah, i cili si shpërblim, të pranojë që Universiteti i Gjirokastrës të mos jetë konkurrues për filialin e tij. Njëkohësisht t’i garantojë atij rolin e preferuar në tendera të siguruara në emër të zhvillimit të universitetit të Gjirokastrës”, shkruan Barka në artikullin e botuar te Shqiptarja.com

Për universitetin “Eqrem Çabej” janë në garë dy emra, Bektash Mema dhe Kostaq Hila.

|Libohova Online|