Zjarret shkrumbojnë të dyja anët e Drinos në Gjirokastër, shkatërrohet gjithë ekosistemi

Zjarret vazhdojnë të djegin territore dhe sipërfaqe me pyjë ne vend. Në luginën e lumit Drino në Gjirokastër, zjarret maive kanë djeguar të dyja anët e luginës duke shkatërruar gjithë habitatin natyror aty. Specialistët thonë se rekuperimi i dëmit kërkon dekada ndërsa zjarrfikësit flasin për mundësinë e zgjatjes së situatës së jashtëzakonshme nëse nuk do të nisin reshjet.

Një pjesë e zjarrvënësve, të gjithë barinj, po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërsa ende nuk ka të ndëshkuar. Kjo është situata më e pazakontë që mbahet mend ndonjëherë në këtë rajon, ku dëmet është vështirë të llogariten në vlerë ekonomike.

Është shkrumbuar thuajse gjithë pjesa e Malit të Gjerë nga të dy krahët. Bashkë me florën digjet edhe fauna, lepuri, dhia e egër, dhelpra e ariu, që nuk i largohen dotë zjarrit. Zjarret shkaktojnë katastrofa që për t’u rekuperuar duhen disa vite, sepse bashkë me ta dëmtohet e gjithë sipërfaqja e parë e tokës”, – shprehet Kleanthi Mandi, ekspert biolog.

Në më shumë se 120 ndërhyrje vetëm brenda muajit gusht, shpesh herë zjarrfikësve u është dashur të menaxhojnë rreth 4 apo 5 zjarre të qëllimshme brenda ditës.

Në disa raste është kërkuar edhe ndihma e efektivëve nga Greqia. Disa reparte të Janinës morën pjesë në shuarjen e të paktën 5 zjarreve dhe në një rast zjarrfikësit shqiptarë parandaluan një zjarr që po avanconte në territorin grek.