Zyrtarisht kandidat për deputet, reagon Flamur Golemi: Privilegj të përfaqësoj Gjirokastrën në Kuvend

Kryetari i PS Gjirokastër, Flamur Golemi është kandidati i tretë për deputetë në qarkun Gjirokastër.

Pas zyrtarizimit të listave, Golemi ka reaguar përmes një mesazhi në faqen e tij në Facebook.

Ai thotë se ndjehet i vlerësuar për besimin që PS ka treguar ndaj tij dhe e konsideron privilegj të përfaqësojë në Kuvendin e Shqipërisë banorët e qarkut Gjirokastër.

Më poshtë mesazhi i tij i plotë:

Të nderuar miq,

Partia Socialiste më ka besuar sot një tjetër angazhim të rëndësishëm. Jam zyrtarisht një prej kandidatëve për deputetë të qarkut Gjirokastër. Në këtë mesazh të parë pas publikimit të listave, dëshiroj së pari të shpreh mirënjohjen për kryetarin Edi Rama dhe forumet e Partisë Socialiste për besimin që kanë treguar ndaj meje, si në momentin kur u zgjodha Kryetar i PS Gjirokastër, ashtu edhe sot që jam pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.  Falenderoj strukturat e Partisë Socialiste në Gjirokastër, anëtarët dhe simpatizantët e partisë, si dhe gjithe qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme. Është nder dhe privilegj i veçantë për mua, të jem një prej përfaqësuesve të qarkut Gjirokastër në Kuvendin e Shqipërisë. Kam bindjen se bashkë do t’ia dalim mbanë me sukses edhe në këtë përpjekje të re, në këtë sfidë që dua ta jetojmë së bashku çdo ditë të fushatës elektorale, duke e kurorëzuar në 18 qershor me fitoren e Partisë Socialiste. Për Gjirokastrën që duam, për Shqipërinë që duam!

Faleminderit!