Letra e kryetarit të PD Gjirokastër në vitin 2009: Hiqni policët që kërkojnë për kanabis [VIDEO]

dfkjghfkBotuar sot te gazeta Shqiptarja.com

Strukturat lokale të Partisë Demokratike Gjirokastër, duke shfrytëzuar influencën e pushtetit që zotëronin, gjatë vitit 2009 arrinin të ushtronin presion në ministrinë e Brendshme dhe direkt tek ish-kryetari i PD Sali Berisha, ku ankoheshin tek ai për largimin e drejtorit të Policisë së Gjirokastrës Arben Hysenaj dhe disa oficerëve të tjerë.

Kjo ankesë është bërë nga kryetari i PD në Gjirokastër Altin Çomo, në 18 prill 2009 pikërisht në kohën kur kultivohen fidanët e ashashit në Lazarat. Çomo ankohej për kontrollet e policisë në Gjirokastër dhe Lazarat.

Sipas shkresës së siguruar nga gazeta Shqiptarja.com, shumë militantë të PD janë ankuar për dhunë dhe kontrolle të herë pas hershme nga ana e policisë, kontrolle këto që i kujtojnë kohërat e shkuara të vitit 1997. Në ankesë, përmenden dhe disa emra të oficerëve të tjerë si Rrapo Brahimi, etj. Fill pas kësaj ankese, ka ardhur dhe reagimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku ish-drejtori Hysni Burgaj ka firmosur shkarkimin e drejtorit të asaj kohe Arben Hysenaj, shkarkim ky që është kryer në 5 nëntor 2009.

Ankesa tek Berisha

I nderuar zoti kryetar
Do doja personalisht dhe në emër të Kryesisë së Partisë Demokratike Gjirokastër tju falenderoja për fitoret e njëpasnjëshme tuaja dhe të qeverisë, për mbështetjen e përhershme dhe të vazhdueshme që keni dhënë për Partinë Demokratike në Gjirokastër si dhe mbajtjen e premtimeve të dhëna ndaj nesh. Do doja njëkohësisht tju vija në dijeni për disa nga shqetësimet që na ka krijuar Drejtoria e Policisë Gjirokastër.

1.Jemi të shqetësuar dhe të pakënaqur nga sjellja e grupeve të gatshme të policisë në qytet të cilët ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë, veçanërisht tanë në prag të fushatës. Rasti i fundit ka ndodhur ndaj drejtorit të ALUIZN-it z.Dejvid Mezini.

2.Janë kthyer në qarkullim rrugor dhe kontrollojnë këtë trafik, policë të cilët godasin në mënyrë të vazhdueshme militantët tanë,duke vendosur për ta gjoba të larta pa shkak.Policë të tillë si Fatbardh Bineri, Arten Hoxha, Rrapo Brahimi, Rasho Hasani, Çaush Hasani si dhe oficerë policie Blerim Laçi etj., na kujtojnë fytyrat dhe sjelljen e 97-ës.

3.Ne si PD, në bashkëpunim me pushtetin lokal jemi të angazhuar totalisht dhe me të gjitha forcat në luftën e përbashkët kundër mbjelljes së bimëve narkotike. Na vjen keq kur kryetari i PD Lazarat ndalohet në mënyrë të padrejtë nga Policia e Drejtorisë Gjirokastër.

4.Mendojmë se Drejtoria e Policisë Gjirokastër duhet të jetë më e hapur dhe të organizonte takime me pushtetarë vendor, parti politike e grupe të komunitetit për problemet dhe shqetësimet e ndryshme. Imazhi i policisë në popull vjen gjithnjë e duke rënë.

5.Kryesia e degës së PD Gjirokastër e shqetësuar për problemet e mësipërme të krijuara nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër, sidomos në këtë periudhë, kërkon largimin e drejtuesve të kësaj policie.
Me respekt

Kryetari i PD Gjirokastër
Altin Çomo 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Qershor 2015. Për të parë videon klikoni në këtë link https://www.youtube.com/watch?v=n9HjDUryMFQ