1 Tetori, një ditë ndryshe për të moshuarit e Gjirokastrës

10702138_894038103959706_772447707924730634_nDita Botërore e të Moshuarve nuk ka kaluar në heshtje as në Shtëpinë e të Moshuarve të Gjirokastrës, ku strehohen një numër i konsiderueshëm personash të moshës së tretë. Kryebashkiaku Flamur Bime, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Albana Allushaj, përfaqësues të disa institucioneve të tjera publike dhe biznesit privat, ishin sot pranë të moshuarve duke i ofruar një ditë ndryshe.

Në kuadër të kësaj dite është shtruar një drekë më e bollshme për të moshuarit e kësaj shtëpie, si dhe është krijuar një atmosferë ndryshe për të mos u ndjerë të vetmuar apo të lënë mënjanë. Po kështu edhe në qendrën ditore për të moshuar, që mbështetet nga Bashkia Gjirokastër, ka pasur një event në kuadër të Ditës Botërore të të Moshuarve.

Këtë vit në fokus është mesazhi “Të moshuarit – Një forcë e re për zhvillim”.Sipas përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të moshuar janë personat mbi moshën 65 vjeç. Moshimi apo plakja e popullsisë përbën për shoqërinë një fenomen demografik mjaft të rëndësishëm, i cili në të ardhmen do të jetë më i mprehtë, me të gjitha pasojat që sjell ky fenomen.