10 qytetet e Shqipërisë ku mund të jetohet më mirë për vitin 2014

korca (1)Tyler Brûlé gazetar i njohur kanadez dhe themelues i revistë Monocle, kur vendosi para 7 vitesh të klasifikonte 25 qytetet më të mira të planetit hasi në kundërshti të forta. Skeptikët e shumtë e këshillonin të hiqte dorë se ishte një sipërmarrje gjigande dhe kërkonte kohë, shpenzime, njerëz. Por botuesi Tyler në heshtje thirri specialistë kompetentë me famë si arkitektë, artistë, sportistë, ambientalistë, ekonomistë, agjentë udhëtimesh dhe si fillim caktoi kriteret e vlerësimeve për qytetet ku mund të jetohej më mirë. Kushtet dhe kriteret ishin standarde e thelbësore për çdo qytet: kriminaliteti, kujdesi shëndetësor publik, transporti, arkitektura, hapësirat e gjelbërta dhe numri i stolave në pargjet publike/banorë, lehtësirat për nisjen e një biznesi, toleranca fetare e racore, orët me diell gjatë vitit…

Këtë vit, nismës së studentëve të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës iu bashkua edhe Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe bashkë me klubin social «campusALBANIA», qëmtuan me kujdes standardin në të cilin jetojmë ne qytetarët e këtij vendi, nuk e komplikuan shumë rankimin e qyteteve shqiptare por thjesht respektuan kriteret bazë të një jetese të mirë. Për të katërtin vit janë parë nga afër prej specialistëve të ndryshëm dhe janë grumbulluar të dhëna rreth hapësirave të gjelbërta, kriminalitetit, çmimeve të ushqimeve e banesave, jetës sociale, infrastrukturës urbane.

Mos humbni kohë por lexoni me vëmendje se ku do të zgjidhnit për të jetuar përveçse Tiranës së zhurmshme dhe të ndotur.

Botuesi Tyler Brûlé ia arriti qëllimit dhe e ktheu në një traditë ndërkombëtare listimin e qyteteve ku jetohet më mirë, edhe në Shqipëri tradita ka nisur.

1-Korça

E meriton pa mëdyshje vendin e parë kryeqendra e Juglindjes. Një qytet me planimetri shembullore, me parqe pa fund, mpleksje arkitekturash me gjurmë nga pushtuesit otomanë, grekë, francezë, italianë dhe gjurmët 50 vjeçare sovjetike që dizenjoi regjimi komunist i Hoxhës. Traditat e shkëlqyera në kulinarizëm, art e muzikë, nikoqirllëk dhe pastërti, me infrastrukturë në përmirësim, kryqëzim rrugësh mes Greqisë e Maqedonisë rendisin Korçën në qytetin ku mund të jetohet normalisht pa dhimbje koke si ato të kryeqytetit. Ka një popullsi rreth 90 mijë banorë dhe qendër e rëndësishme administrative, ndër qytetet e rrallë me 24 orë ujë të rrjedhshëm. Qyteti që të ofron mundësi të pëlqyeshme investimi, punësimi dhe arsimimi.

2-Përmeti
Do të hash e të bësh qejf, sofrën shtruar si për mbret? Pastërtor’e për hyqmet të tillë gjen veç në Përmet! Legjendare kjo poezi për këtë qytet të cilit përveç detit nuk i mungon asgjë. Megjithëse 2 dekadat e fundit kanë gërryer dhe degraduar disi qyetin e famshëm të trëndafilave, Përmeti ende mbetet një zgjidhje e mirë ku mund të jetohet. I shtrirë buzë lumit Vjosa me një popullsi rreth 12 mijë banorë ky qytet ka parqe dhe lulishte pa fund, kuzhinë fantastike dhe të bollshme, ajër të pastër dhe aspak ndotje dhe shkatërrim mjedisor. Vitet e fundit çmimet e banesave janë ritur por të investosh në këtë qytet në mënyrë simbolike ia vlen jo vetëm për atmosferën e ngrohtë miqësore që të ofrojnë vendasit por edhe qetësinë dhe sigurinë e atjeshme. Me çmime fantastike ndryshe nga vendet e tjera, ia vlen të eksperimentosh të jetuarit në Përmetin e bukur.

3-Bajram Curri

Qyteti shtrihet në pjesën shqiptare të Malësisë së Gjakovës jo larg Alpeve të mrekullueshme mahnitëse. Kriminaliteti, një shqetësim i mbartur prej vitesh, pothuajse është ulur ndjeshëm ndërsa vendasit janë tepër bujarë dhe mikpritës. Në këtë qytet mund të jetosh mirë pa shpenzuar shumë dhe hapja e rrugëve me Kosovën ka ndihmuar në rritjen e nivelit ekonomik.Udhëtimi për të shkuar në të nëpërmjet Komanit është mbresëlënës por ende infrastruktura e dobët ta zbeh paksa këtë aventurë. Investimet private në zonën e Valbonës po atraktojnë mjaft vizitorë, ndërsa kjo trevë shënohet në hartën e turizmit kombëtar prej vitesh duke e justifikuar veten me bukuritë natyrore dhe shërbimet që po bëhen cilësore kohë pas kohe.

4-Vlora
Nuk është më vetëm qytet i lebërve, ka vite që po bëhet një nga qytetet më kozmopolite mbarëshqiptare. Po investohet shumë në sektorin imobilar dhe të pasurit e një banese në Vlorë është tashmë tendenca e fundit e këtushme. Më i pastër dhe me më shumë frymëmarrje se Durrësi, më e shtrirë dhe më e lirë se Saranda, me varietete punësimi, shkollimi, argëtimi në rritje Vlora po kthehet në kryeqendrën bregdetare shqiptare. Përfundimi i autostradës Levan-Vlorës do të shkurtojë distancat me zonat e tjera urbane e do të rrisë më shpejt ekonominë lokale.

5-Pogradeci
Natyra e ka përkëdhelur disi këtë qytet me dimrin e ashpër dhe verën e shndritshme buzë liqenit. Jo shumë larg Korçës, Pogradeci të josh me traditat, pastërtinë dhe kuzhinën tipike. Vitet e fundit është menaxhuar mirë në përmirësimin e infrastrukturës dhe ngritjes së banesave të reja. Në përgjithësi një qytet i qetë dhe piktoresk gjatë gjithë vitit, mbetet një folezë e këndshme për romantikët dhe adhuruesit e fundjavave. Nëse i keni lexuar me ëndje poezitë e Lasgush Poradecit, tani është koha të shkoni e përjetoni në të vërtetë. 

6-Çorovoda
Zgjodhëm këtë qytet si ndër më të lirët ku mund të jetohet. Me një natyrë të paprekur, ushqime të shëndetshme, pije tradicionale dhe ajër i pastër Çorovoda këshillohet si vendi ku mosha e tretë mund të pleqërohet në paqe e madje të kursejë të ardhurat. Popullsia vendase shquhet për respektin dhe jetën komunitare korrekte. Infrastruktura mbetet ende shqetësim ndërsa investimet fasone po rrisin numrin e të punësuarve duke rritur njëkohësisht edhe të ardhurat.

7-Rrësheni
Kryeqendra e Mirditës me rreth 9 mijë banorë, qyteti i Rrëshenit tashmë me autostradën e kombit i është afruar më tepër Tiranës e Prishtinës. Shquhet si një nga vatrat e katolicizmit shqiptar me popullsi vendase mikpritëse, bujare dhe liberale. I pastër, i qetë me çmime ushqimesh dhe banesash mjaft të lira ka një prej katedraleve më të bukura katolike të ngritura në vend pas rënies së komunizmit. Uji dhe dritat nuk mungojnë asnjëherë por problem mbetet kuzhina tradicionale e cila duhet të ketë më tepër ndikime orientalo-mesdhetare.

8-Orikum
Shumë qyteza dhe popullsitë e tyre janë me fat. Dikur një fermë dhe bazë ushtarake detare, njerëz punëtorë që nuk dinin të menaxhonin resurset dhe dhuratat e natyrës, sot një nga emrat më të spikatur të bregdetit Jonian. Përmirësimi i rrugëve dhe ndërgjegjësimi i komunitetit e kanë kthyer Orikumin në një destinacion të turizmit familjar dhe jo vetëm. Mjaft kompetitiv dhe tërheqës në të 12 muajt e vitit. Kurdo të shkosh për pushime, për të investuar apo jetuar Orikumi mbetet një nga qytezat më simpatike dhe relaksuese.

9-Peshkopia
Mes lumit Drin dhe malit legjendar të Korabit, qyteti i Peshkopisë ka qenë dhe mbetet një nga qytetet me tradita në pastërti, mirëqenie sociale dhe kryqëzim rrugësh tregëtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Nuk i kanë munguar as investime të ndryshme nga qeveritë qendrore e lokale dhe si e përkëdhelur, madje Peshkopia sot ka edhe filial universitar. Nuk shquhet për shtrenjtësi e në përgjithësi ruan profilin e një qyteti të qetë ku jetohet këndshëm. Rruga e Arbërit do i jepte përfundimisht autoritetin e duhur kësaj treve historike.

10-Shëngjini

Qyteti plazh ndër më të pastërtit dhe më të lirët e bregdetit të Adriatikut, Shëngjini ka ditur që 8 vitet e fundit të atraktojë jo vetëm pushues por edhe banorë të rinj. Investime të shumta në ndërtimtari, turizëm, gastronomi, transport po e kuotojnë këtë qytezë mjaft lart në të dyja anët e kufirit shqiptaro-kosovar.

***

Shqipëria ime fantastike

Shqipëria ime fantastike është një projekt i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, i cili synon që çdo javë të sjellë në vëmendjen e lexuesit shqiptar destinacione dhe atraksione turistike të cilat vlejnë të vizitohen përgjatë 2014. Ky suplement do të çojë lexuesit në çdo cep të vendit për ta bërë atë të njohë elementë nga kulinaria, trashëgimia kulturore, hoteleria dhe artizanati që zona të vecanta afrojne./Dita

Libohova Online