12% e maturantëve ngelin në provimin e Matematikës

matura2014-provimetRreth 12 për qind e maturantëve kanë rezultuar mbetës në provimin e Matematikës. Të dhënat bëhen me dije nga Agjencia Kombëtarë e Provimeve, e cila tashmë ka publikuar notat për 41 mijë nxënësit që iu nënshtruan këtij provimi në datën 17 qershor.

Në krahasim me 1 vit më parë, ka 1% më tepër ngelës, por nëse e krahasojmë me numrin e përgjithshëm të pjesëmarrësve, atëherë kalueshmëria është pothuajse e njëjtë. “Vitin e kaluar në provimin e matematikës morën pjesë 44 mijë maturantë, pra 3000 më shumë se sivjet. Para një viti kishim 11% për qind mbetës, çka do të thotë se pothuajse jemi në të njëjtat nivele”, u shprehën përfaqësuesit e AKP-së, duke theksuar se në total janë 5046 nxënës që kanë marrë notën 4.

Ndërkaq, pas përpunimit të të dhënave rezulton se 100 maturantë kanë arritur në marrin pikët maksimale në testin e Matematikës, duke grumbulluar 50 pikë. Në total janë 2 për qind e nxënësve që kanë arritur të marrin notën 10-të, duke pasur mundësinë të mbledhin nga 45-50 pikë. “Në total janë 1.042 maturantë që janë vlerësuar me notën 10-të. 107 prej tyre kanë notën e shkallëzuar 9.90, 170 e kanë këtë notë 9.80, ndërsa 194 rezultojnë me notë të shkallëzuar 9.70. Po ashtu, 219 nxënës janë vlerësuar me notën 9.60, ndërsa 252 nxënës me notën 9.50”,- saktësuan përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Provimeve.