Banka Botërore hap aplikimet për një projekt për rritjen e përvojës turistike në Gjirokastër

Një projekt i fundit i Bankës Botërore kërkon shërbime konsulence për rritjen e përvojës turistike në qytetin jugor të Gjirokastrës, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. BB do të vendosë një hua në dispozicion për projektin në fjalë dhe fton të gjithë ekspertët që të shprehin interesin e tyre deri më 2 tetor, detyra duhet të kryhet në nëntë muaj për shërbimet e dizajnit dhe 13 muaj për fazën e mbikëqyrjes, sipas specifikave që Fondi Shqiptar i Zhvillimit si autoritet kontraktues dha për publikun.

Konsulta është pjesë e një projekti për zhvillim të integruar urban dhe turistik të fokusuar në jug të Shqipërisë dhe financuar nga Banka Botërore me një kredi prej 71 milion euro (60.8 milionë euro). Shërbimet e konsultencës në rastin konkret, në vijimësi të programit të fuqizimit turistik të jugut të vendit tonë, do të hartojë dhe mbikëqyrë zbatimin e një sistemi miqësor turistik të muzeve në Gjirokastër, të përcaktuar nga rrugët tematike të interpretimit që lidh muze të ndryshme, të përforcuara nga aktivitetet në zonën e studimit për të mbështetur zhvillimin e një produkti turistik dhe të inkurajojë turistët që të qëndrojnë më gjatë dhe të kenë një qëndrim më interesant në Gjirokastër, sipas njoftimit të prokurimit.

Gjirokastra është një ndër qytetet e Shqipërisë që ka tërhequr vëmendjen më të madhe të turistëve të huaj dhe si pjesë e UNESCO duhet të plotësoje disa kritere për mirëmbajtjen. Pak muaj më parë, Europa Nosta, një federatë pan-europiane si pjesë e OJQ-vë mbi trashëgiminë kulturore dhe historike, theksoi se nga 615 monumente në qendrën historike të qytetit “më shumë se gjysma u nënshtrohen ndërtimeve ilegale ose jashtë kontekstit të asaj qendre, ndërsa 169 janë në gjendje kritike ose në rrezik shembje”.

Një tjetër studim thekson vlerat turistike të qytetit të gurtë. Shifra e gjithë burimeve turistike sipas një bilanci të publikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është 3390. Qarku me pasuritë më të mëdha është ai i Gjirokastrës, me 697 burime që nis me Kalanë e qytetit, që është më përfaqësuesja dhe mbyllet me qytezën e Dedjanit në Përmet.