4 gola dhe 2 kartona të kuq, Luftëtari merr vetëm 1 pikë

Prodhoi pothuajse gjithçka sfida që u zhvillua në Kurbin mes Laçit vendas dhe Luftëtarit. 4 gola 2 kartonë të kuq, një gafë e rëndë e portierit Ruçi dhe nga një pikë për të dyja skuadrat me bardhezinjtë e bluzinjtë që u ndeshën për herë të tretë në harkun e pak ditëve. Goli i shpejtë i Vasil Shkurtajt i cili vallëzoi mes mbrojtësve vendas, kartoni i kuq i Fangajt dhe finalizimi nga distancë i Rrocës në fillimin e pjesës së dytë krijuan përshtypjen e një fitoreje të lehtë të Luftëtarit në këtë transfertë të vështirë. Por edhe në disavantazhin e 2 golave, me një lojtar më pak dhe pa sulmuesin kryesor Reginaldo në fushë, Laçi i Gentian Mezanit gjeti forcën për të reaguar, duke ndëshkuar skuadrën e Likës fillimisht me Shtubinën në të 52-ën dhe më pas gafa e Ruçit që solli golin e Nikës në të 64-ën, me Laçin që i rrëmbeu një pikë Luftëtarit që gjithashtu e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pasi disa sekonda pas golit të barazimit Aleksi mori kartonin e dytë të verdhë për protesta duke barazuar forcat në fushë. Deri në fund sfida nuk prodhoi më asnjë gol me dy skuadrat që ndanë nga një pikë në këtë përballje.