72 milionë lekë investim, gati rikonstruksioni i rrugës së fshatit Bulo

Bulo rrugaSegmenti rrugor nga autostrada, pranë fshatit Goranxi drejt fshatit Bulo do të rikonstruktohet brenda këtij viti. Financimi i këtij investimi të rëndësishëm dhe të shumëpritur nga banorët do të kryehet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Fondi i vënë në dispozicion për këtë rrugë është rreth 72 milionë lekë të reja. Oferta është shpallur edhe në Agjensinë e Prokurimeve Publike një javë më parë.

Pritet që punimet të nisin brenda pak kohësh nga dalja e kompanisë fituese. Rikonstruksioni i kësaj rruge të lënë në harresë prej vitesh ishte një nga premtimet kryesore të fushatës që kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi, u bëri banorëve të Bulos në këmbim të votëbesimit.

Investimi në këtë segment krijon lehtësi që fermerët e këtij fshati të nxjerrin në treg prodhimet e tyre në një kohë më të shkurtër dhe me kosto më të ulët. Bulo është një prej 17 fshatrave të Bashkisë Libohovë. |Libohova Online|