A duhet fajësuar Lorik Cana për humbjen me Portugalinë?

cana-arrive-a-la-lazio_0Ata që e kanë parë pas ndeshjes, flasin për një njeri të dërrmuar dhe të mërzitur menjëherë pas takimit me Portugalinë. Lorik Cana kapiteni i kombëtares, iku i fundit nga stadiumi, madje jo me skuadrën, por vetëm. Nuk kishte fjalë për të thënë, ndonëse me sjelljen e tij kërkonte falje për atë gabim të bërë. Një top i mbajtur më shumë se duhet, një korne ku kundërshtarët mbetën zbuluar…. dhe fluturuan tre pikët.  “Goli i pësuar nuk ishte punë fati, ishte një situatë ku nuk ishim të përqendruar sa duhet dhe skuadra të mëdha si Portugalia dinë t’i shfrytëzojnë ato. Më shumë më dhemb, sepse na ka ndodhur edhe më parë…”, tha pas ndeshjes portieri Ertrit Berisha, pa vënë gishtin mbi kapitenin e tij.

Por pavarësisht se disa e quajtën fajtor, disa një aventurier që tentoi 30 sekondat e fundit të driblonte si Leo Mesi, nga specialistët e huaj Lorik Cana mori notën 7.5 në atë ndeshje. Në këtë linjë kanë qenë edhe mediat franceze. Eurosport dhe Butfootball.fr, kanë deklaruar se Cana ishte njeriu i cili e ndali Ronaldon nga shënimi i golave.

“Cana i Nantës ndali Ronaldon”, ishte titulli i Butfootball.fr. “Lorik Cana ishte i gjithpranishëm në repartin mbrojtës, i cili e mbuloi mirë tri herë lojtarin më të mirë në botë”, shkruan në analizën e vet Eurosport. “Kjo premton se Lorik Cana shumë shpejt do të debutojë në Ligue 1!”, shkruan Butfootball.fr. Pra pyetja është: a duhet gjykuar kapiteni me emocionet tona apo me syrin e atyre specialistëve që e kanë parë më ftohtë?