Aksidentet në Gjirokastër vijnë nga shpejtësia, sinjalistika dhe rrugët

aksidentPolicia e Qarkullimit Rrugor në Gjirokastër ka ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për respektimin e rregullave të qarkullimit pas aksidenteve të shumta në rrugë.

Për Blerim Berbatin, kreu i forcave të Qarkullimit Rrugor, kjo ka sjellë reagimin e publikut dhe si pasojë edhe uljen e numrit të aksidenteve krahasuar me vitet e shkuara. Por, siç thekson ai, vendi ynë klasifikohet me numër të lartë aksidentesh që, sipas statistikave, përveç të plagosurve, regjistrojnë mesatarisht edhe 320 viktima në njerëz çdo vit.

“Kemi rënie të numrit të aksidenteve, gjë që ka ardhur nga puna e policisë”, shprehet Berbati.

Në qarkun e Gjirokastrës, gjatë 4 muajve të fundit kanë humbur jetën 2 persona në aksidente dhe janë plagosur 8 të tjerë. Përgjegjëse, sipas tij, përveç mosrespektimit të rregullave të qarkullimit, mbeten cilësia e rrugëve, mungesa e mbrojtjes së nevojshme anësore, por edhe sinjalistika e munguar apo e gabuar përgjatë akseve Gjirokastër-Sarandë dhe Gjirokaster-Tepelenë./tch