Aksioni i pastrimit në Gjirokastër, zv.ministrja e Mjedisit i ‘shkul veshin’ Zamira Ramit: Duhet të ishte këtu, mjedisi s’ka parti

Në Gjirokastër, aksioni kombëtar për të pastruar Shqipërinë në prag të sezonit turistik është duke larguar tonelata mbetjesh urbane prej brigjeve të lumenjve, territorin në të dy anët e rrugës nacionale dhe atë rreth parkut të Viroit, një prej atraksioneve kryesore natyrore në Gjirokastër. Vullnetarisht, aksionit i janë bashkuar qytetarë, shkolla dhe institucione të tjera.

Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi tërhoqi vëmendjen për mungesën e bashkisë në këtë aksion, edhe pse pushteti vendor është përgjegjësi kryesor për mjedisin në territorin që mbulon.

“Bashkitë janë përgjegjëse për territorin e tyre. Mjedisi nuk ka parti dhe ideal. Do të ishte mirë që të gjithë të ishim bashkë duke pastruar mjedisin e Gjirokastrës, pasi nuk mund të presim nga të tjerët që të na e pastrojnë. Kjo është një ndotje 27-vjeçare, por ka ardhur koha që Shqipëria të mos ketë më këtë faqen e pistë që ne shikojmë gjithkund”, deklaroi Çuçi.

Prefekti i qarkut, Astrit Aliaj tha se aksioni do të largojë një sasi të shtresëzuar ndotjeje, por problematika, sipas tij, kërkon zgjidhje të qëndrueshme: “Duhet të mendojmë për atë që nxjerrim nga shtëpitë tona. Përveç pastrimit, komuniteti duhet të jetë më i kujdesshëm me mjedisin”.

Në të gjithë territorin e Qarkut të Gjirokastrës, njësitë vendore arrijnë të largojnë jo më shumë se 50% të mbetjeve urbane. Në më shumë se 90% te territorit, në zonat rurale nuk ka kosha dhe ato ato nuk mbulohen fare me shërbim për largimin e mbetjeve./tch